SPAK tërheq dosjen nga Gjykata e Lartë, rimerr në hetim Fatmir Mediun për tragjedinë e Gërdecit

Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu është rimarrë sërish i pandehur në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.

Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, Prokuroria ka regjistruar procedimin penal ndaj tij për “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues.

Në vendimin e Apelit të GJKKO të datës 24 shtator për dosjen e tragjedisë së Gërdecit të GJKKO-së thuhej se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit i hap rrugë procesit për rihetim. 

Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria përjetoi një tragjedi nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës. 

Çështja ndaj tij u pezullua nga Gjykata e Lartë ne vitin 2009, pasi ligji i kohës e ndalonte gjykimin e një personi me imunitet.

Tashmë SPAK pritet të dërgojë në gjykatë dosjen për ish ministrin e mbrojtjes. Nga ana tjetër ish-ministri dhe avokatët e tij do të drejtohen gjykatës së lartë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Posaçme Të Apelit.

Njoftimi per shtyp

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të vendimit nr. 205, datë 24.09.2021, të Gjykatës së Posaçme të Apelit, pasi ka tërhequr nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në ngarkim të z. Fatmir Mediu, ka regjistruar procedim penal për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu.