Qytetarët e helmuar nga uji i pijshëm në Krujë: 14 pacientë të shtruar në spital sot
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka folur sot në lidhje me situatën banorëve të helmuar në Krujë, për shkak të ujit të pijshëm.
Sot në spital janë të shtruar 14 qytetarë, midis tyre fëmijë edhe adoleshentë, gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar.
Ndërkohë përgjigjet e analizave bakteriologjike nuk kanë dalë ende.
Manastirliu: "Jemi ende në pritje të përgjigjeve bakteriologjike për sa i përket analizave që tashmë janë marrë në funksion të pistave të ndryshme të hetimit.
Dua të theksoj faktin se tashmë gjendja e të helmuarve është e stabilizuar.
Sot janë rreth 14 qytetarë, përfshirë edhe fëmijë edhe adoleshentë që janë duke marrë shërbimin shëndetësorë pranë spitalit të Krujës. Gjendja ka qenë nën kontroll, shërbimi i spitalit të Krujës ka qenë në gatishmëri, për të përballuar fluksin, nëse do kishte.
Fatmirësisht fluksi ka qenë në rënie. Sot janë vetëm 14 të shtruar që thjesht po marrin terapitë e mjekimit dhe do të lënë spitalin, sapo të mbarojnë protokollet e mjekimit.
Do t'ju informojë menjëherë sapo të kemi raportet përfundimtare të analizave bakteriologjike. Bashkia e Krujës ka marrë të gjitha masat për sigurimin e shëndetit publik."


