Dosja "Shpirti"/ Në arrest shtëpie, GJKKO i jep vetëm 1 muaj leje prokurorit Sota të dalë nga shtëpia
Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e prokurorit të Vlorës, Maksim Sota, për ndryshimin e masës së sigurimit “arrest shtëpie”. Sota, aktualisht i pezulluar nga detyra, po hetohet nga SPAK për “shpërdorim detyre”.
Në të njëjtin vendim GJKKO i jep një muaj leje lëvizjeje Sotës, për nevoja të kujdesit shëndetësor të një familjari.
Ish-prokurori i Vlorës, Maksim Sota, i arrestuar si pjesë e operacionit ndërkombëtar “Shpirti”, një muaj më parë kërkoi në Apelin e Posaçëm të hetohet me masë më të butë sigurie.
Ndaj tij shkalla e parë caktoi arrest shtëpie me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ky vendim u kundërshtua nga ish prokurori, duke kërkuar të hetohet në liri, me argumentin se nuk shfaq rrezikshmëri në prishje provash. Por kjo është refuzuar këtë të mërkurë nga togat e zeza të GJKKO-së.
Emri i Sotës doli gjatë dëshmisë së 2 skafistëve, të cilësuar si të penduarit ndaj drejtësisë. Ata pretendonin se Sota, qëndronte në një apartament me qira në Vlorë të paguar nga kreu i grupit. Akuza këto, të cilat janë kundërshtuar nga ish prokurori.
Më 2 korrik të këtij viti, SPAK dhe Antimafia italiane finalizuan operacionin e koduar “Shpirti” në kuadër të të cilit u arrestuan 38 persona, 28 prej tyre në Shqipëri, pasi akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike.
Në pranga u vunë biznesmenëve të njohur dhe 2 ish-truprojat e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
