Falsifikuan dokumentet, arrestohen dy afganë të akomoduar në Shëngjin

Dy shtetas afganë të akomoduar në Shëngjin janë arrestuar nga policia e Lezhës pasi gjatë verifikimeve ka rezultuar se kanë falsifikuar dokumentet e identifikimeve, të udhëtimit dhe formularët e vetëdeklarimit.

Policia bën me dije se në pranga kanë rënë shtetasit S.S.,23 vjeç dhe S.K.,27 vjeç.

Sipas bluve, gjatë verifikimeve, dokumentet e identifikimeve, të udhëtimit dhe formularët e vetëdeklarimit të dy shtetasve të lartpërmendur kanë rezultuar të falsifikuar.

Mësohet se shtetasit afganë nuk ishin në listën e personave për t'u strehuar në Shqipëri dhe kishin arritur të vinin në vendin tonë përmes dokumente të falsifikuara.

Në këtë mënyrë kishin kaluar në pikat kufitare dhe janë zbuluar kur kanë ardhur për t'u akomoduar në Shëngjin.

Dy shtetasit afganë u arrestuan me akuzën e veprës penale  “Falsifikimit të letërnjoftimeve, të pasaportave ose të vizave”, "Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve" dhe "Falsifikimi i dokumenteve".

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.