"Mos guxo!" Administrata tenton të ndërpresë sinjalin, Alibeaj urdhëron gardën ta nxjerrë jashtë
PS ka braktisur edhe mbledhjen e radhës së Komisionit Hetimor Parlamentar për zgjedhjet e 25 prillit. Shkak është bërë përplasja për zgjedhjen e sekretarit. Largimi i mazhorancës është shoqëruar dhe me vendimin për ndërpresrjen e transmetimit online të mbledhjes. Edhe pse kryetari i Komisionit paralajmëroi ndjekje penale, sinjali u ndërpre.
Debati dhe akuzat për zgjedhjet e 25 prillit nuk kanë qenë vetëm në fushatë por dhe në Komisionin parlamentar që do të hetojë votimet. Mazhoranca braktisi dy herë mbledhjen me pretendimin se po shkelej rregullorja.
Pasi deputetët e mazhorancës dolën për herë të dytë, transmetimi për mediat u kërkua të ndërpritet, çka stimuloi edhe një debat të fortë mes kryetarit Enkeled Alibeaj, dhe Drejtoren e Shërbimit në Kuvend Lefterie Luzi.
Alibeaj: Zonjë të lutem, kush je ti që vjen këtu dhe na thua?
Madje Alibeaj paralajmëroi kallëzim penal për çdo përgjegjës të kësaj situate.
Alibeaj: Nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë do të ketë një kallëzim penal për të gjithë, nga i pari në të fundit.
Në këtë moment një përfaqësuesi e Kuvendit pati debat me Alibeajn dhe ky i fundit urdhëroi gardën ta nxjerrë jashtë.
Alibeaj: Po i them administratës, mbledhja ka filluar. Ju keni detyrat tuaja për të vazhduar transmetimin e kësaj mbledhjeje deri në fund kur kryetari i Komisionit të deklarojë fundin e saj. Nëse do të merrni urdhra të paligjshme apo do të merrni iniciativë për të ndërpresë sinjalin televiziv, do jem i detyruar të ushtroj ët gjitha të drejta e mia si deputet dhe kryetari i Komisionit deri në kallëzim penal. Ky është një paralajmërim që e bëj, mos u bëni pengesë as ju administrata për vazhdimin e këtij. Nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë do të ketë një kallëzim penal për të gjithë nga i pari deri te i fundit. Zonjë dil jashtë, mos prish mbledhjen. Je duke shkelur ligjin. Do të çoj në ndjekje penale ty dhe këdo tjetër. Zoti Çollaku vazhdo me kërkesën.
Pavarësisht kësaj, transmetimi online u ndërpre. Por opozita si zgjidhje vendosi të vazhdonte akuzat në facebookun e PD. Më herët, mazhoranca kërkoi që nga radhët e saj të përcaktohej edhe sekretari i komisionit, por sipas opozitës diçka e tillë do të pengonte punën e Komisionit Hetimor.
"Kërkesat tona për të hedhur në votim rendin e ditës, zgjedhjen e sekretarit dhe hartimin e rregullimin e rregullores tashmë janë mbuluar nga kapica e shkeljeve të bëra nga ju zoti kryetar."
Që nga konstituimi i këtij komisioni, deri tani, palët kanë konsumuar shumicën e kohës me debate jashtë thelbit, hetimit të zgjedhjeve. e tillë ishte edhe mbledhja e së mërkurës, ku mazhoranca dhe opozita nuk janë dakordësuar ende për rendin e ditës dhe rregulloren.
