Si vajti amoniaku në çezmat e Krujës? Fenomeni ndodh vetëm në ujërat e zeza
Helmimi masiv i më shumë se 500 banorëve të Krujës nga uji i pijshëm vijon të mbetet një ngjarje pa autorë dhe fajtorë. Në kufijtë e absurditetit i vetmi institucion përgjegjës, siç është ujësjellësi i qytetit e argumenton me prezencën e amoniakut në ujë, në një kohë që ky fenomen ndodh vetëm në ujërat e zeza dhe jo ato të pijshme. Dhe mesa duket ky është dhe objekti i hetimit tashmë të nisur nga Prokuroria e rrethit Krujë.
Katër ditë pasi uji i pijshëm i Krujës u ndot, banorë të qytetit vijojnë të paraqesin shenja helmimi.
Deri mëngjesin e së mërkurës, sipas të dhënave janë të paktën 500 persona që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pranë Spitalit që tashmë ruhet nga policia e Shtetit.
Prej së hënës, qyteti nuk furnizohet me ujë nga ujësjellësi që u inaugurua vetëm një muaj para zgjedhjeve.
"S'ka ardhur askush të na pyesë," thotë banorja.
Por thuaje në çdo shtëpi, ka persona të helmuar.
"Të tre fëmijët dje dhe sot nuk i kam çuar në shkollë. Janë me temperaturë," thotë e moshuara.
Ujësjellësi i Krujës në reagimin e vetëm për situatën e pazakontë, bëri me dije se në ujë ishte konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë ndërsa situatën e lidhte me reshjet e shiut në zonën ku ndodhen burimet e ujit.
Por kryesisht amoniaku gjendet në ujërat e zeza çka ngre dyshime të forta se si kjo lëndë përfundoi në rrjetin e ujit të pijshëm.
Prokuroria e Krujës në një njoftim zyrtar thotë se ka nisur një hetim kryesisht për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave.
Organi i akuzës deklaron se Hetimet në lidhje me këtë ngjarje janë duke u kryer në drejtim të zbulimit të shkaqeve që kanë çuar në helmimin e banorëve, si dhe individualizimin e përgjegjësive penale për personat përgjegjës.
Për këtë qëllim janë urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko – ligjor dhe analizave fiziko-kimike dhe bakteriale të ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Krujës për të zbuluar çfarë i helmoi banorët e Krujës dhe kush janë fajtorët.

