“Pas prishjes fshihen Veliaj dhe Rama”, banorët e banesave të shembura te "5 Maji": Mos prisni t’ju vijë litari në fyt

Një ditë pas operacionit të IMT-së i cili ua shembi shtëpitë para syve, banorët e rrugës “5 maji” në kryeqytet dalin me akuza të forta.

Në takimin me nënkryetarin e Partisë Demokratike Alfred Rushaj, banorët deklarojnë se pas prishjes së banesave të tyre fshihen Edi Rama dhe Erion Veliaj.

"Mos më hidh mua në rrugë me fëmijët, zonjën mos e hidh në rrugë. Dil thotë ti, rri në rrugë 1 vit, 2 vjet."

“Erion Veliaj dhe Edi Rama po fshihen. I zoti i shtëpisë që i fshihet familjes, ai është kot. Edi Rama është edhe kryeministër, kryeprokuror, kryegjykatës, kryepolic e dreqi e t’bir dhe sot jemi në rrugë të madhe. Jemi, sepse kemi pritur sa na ka ardhur litari neve në fyt”.

Kryefamiljaret të nxjerrë me forcë nga shtëpitë që kanë nisur të prishen dhanë një mesazh të fortë për qytetarët e tjerë, duke u kërkuar të mos gënjehen, të mos heshtin dhe të mos shpresojnë tek kjo qeveri.

"Kemi 30 vite që jetojmë këtu, tani plani  qeverisë të na japë ndonjë kontratë ose ndonjë gjë. S'kemi marrë asnjë lloj dokumenti. Kushtetuta e mbron me ligj banesën, shikoje si e ka mbrojtur ligji."

Nga ana e tij, deputeti i zonës, Alfred Rushaj garantoi banorët për realizimin e kërkesës së tyre për përfshirjen e KLSH-së në nxjerrjen e parregullsive për projektin.

Rushaj: “Shumë gjëra falen, por prishja e shtëpisë, nxjerrja në rrugë të madhe me fëmijët, është shumë e rëndë. Pas familjes, shtëpia është gjëja më e shtrenjtë për njeriun. Do t’i bëj kërkesë menjëherë kryetarit të KLSH që shkeljet e gjetura t’ia verë sa më shpejt në dispozicion organeve të drejtësisë. Shoh që ka dhe hakmarrje brenda, pasi kjo zonë ka votuar PD dhe gjejnë rast t’u bien banorëve. Disa mendua se do të zgjidhnin punë me votimet, por ju paralajmërova që po ju mashtrojnë, së kështu kanë bërë kudo. Një projekt i madh do të thotë se Interesat janë të mëdha.”

Shtëpitë e banorëve të rrugës “5 Maji” kanë nisur të shemben pa asnjë garanci dhe kontratë për strehimin e tyre nga ana e bashkisë së Tiranës. Janë mbi 1200 banorë të prekur nga prishjet në shkelje të ligjit, duke mos u respektuar as detyrimi minimal ligjor për dëgjesat publike.