Gledis Nano “shkund” policinë, ikin shefat e 5 komisariateve në Tiranë pas bilancit negativ
Kreu i policisë, Gledis Nano ka firmosur ndryshimin e drejtuesve të pesë komisariateve të Tiranës, pas bilancit negativ të punës në lidhje me kapjen e personave në kërkim, luftën ndaj drogës, parandalimin e krimeve në familje dhe kapjen e armëve pa leje. Përveç kryeqytetit, kreu i policisë ka firmosur ndryshime edhe në policinë e Shijakut dhe Kavajës ku dy javë më parë u gjetën të vdekur katër turistët nga Rusia.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, firmosi ndryshimet e radhës në strukturat e varësisë duke konfirmuar vlerësimin negativ të punës së deritanishme për pesë komisariate në Tiranë, por edhe për policinë e Kavajës dhe Shijakut.
Pas analizimit të treguesve të punës, kreu i policisë ka vendosur që Bujar Mehmeti të emërohet në drejtimin e Komisariatit nr. 1, nga ku largohet Oliger Torba. Ai lë pas një bilanc me 5 operacione të zhvilluara në 100 ditëshin e vendosur nga kryeministri Edi Rama, ku janë kapur 10 armë pa leje dhe janë arrestuar 32 persona.
Pas largimit nga komisariati nr.1, oficerit Oliger Torba i është besuar drejtimi i komisariatit nr.5. Me firmën e kreut të policisë, Edmond Pjetri është emëruar shef i komisariatit 2 në vend të Ledio Lushkës, i cili largohet me bilancin e arrestimit të 11 personave të kërkuar, 12 autorë të kapur për dhunë në familje, 10 persona të arrestuar për lëndë narkotike dhe pesë armë pa leje.
Ndryshimet prekin edhe komisariatin nr.3 ku Altin Lila merr drejtimin dule lënë detyrën nga komisariati 5 në Kamzë, ndërsa largohet Edmond Meshini, i cili në 100 ditëshin e lënë nga kryeministri Edi Rama, shënoi një bilanc negativ me kapjen e vetëm 1 personi në kërkim, 7 arrestime për dhunë në familje dhe 2 persona per lëndë narkotike.
Ndryshimet e firmosura nga Gledis Nano prekën komisariatin nr.4 ku drejtues emërohet Petrit Halo, i cili zë vendin e Agim Hoxhës që la pas bilancin e 100 ditëshit me kapjen e 6 personave në kërkim, 17 për dhunë në familje, 13 për lëndë narkotikë, dhe sekuestrimin e 3 armëve.
Pas largimit nga komisariatet që drejtonin, Edmond Meshini dhe Agim Hoxha janë emëruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në detyrën e specialistit.
Analiza e treguesve të punës është bërë shkak edhe për ndryshimin e shefit të komisariatit të Kavajës ku dy javë më parë ndodhi ngjarja e vdekjes së katër turistëve rusë.
Aty është emëruar drejtuesi i ri Emiljano Pashaj ndërsa titullari i deritanishëm i policisë lokale Sali Skura, ka marrë drejtimin e komisariatit të Shijakut.
Kreu i policisë Gledis Nano ka ndryshuar edhe shefin e Seksionit të Narkotikëve dhe Trafiqeve në drejtorinë e Tiranës ku është emëruar Julian Qyta.
Drejtuesit e Komisariateve
1. Bujar Mehmeti emërohet në krye të Komisariatit nr. 1
2. Edmond Pjetri emërohet në krye të Komisariatit nr. 2
3. Altin Lila emërohet në krye të Komisariatit nr. 3
4. Petrit Halo emërohet në krye të Komisariatit nr. 4
5. Oliger Torba emërohet në krye të Komisariatit nr. 5
6. Sali Skura emërohet në krye të Komisariatit Shijak
7. Emiljano Pashaj emërohet në krye të Komisariatit Kavajë
8. Agim Hoxha emërohet Specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit
9. Edmond Meshini emërohet Specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit
10. Julian Qyta emërohet Shef i Seksionit të Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Tiranë.