Si vajti amoniaku në çezmat e Krujës? Prokuroria nis hetimet për helmimin masiv: Presim analizat për fajtorët

Prokuroria nis hetimet për akuzën e "ndotjes së ajrit, ujrave dhe tokës me pasojë dëmtimin e shëndetit të njerëzve" lidhur me helmimin masiv të qytetarëve që ndodhi në qytetin e Krujës

Në njoftim thuhet se do të hetohet shkaqet dhe kush janë përgjegjësit.

Ka shkuar në 500 numri i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Krujës deri mëngjesin e sotëm me shenja helmimi për shkak të ndotjes së ujit të pijshëm.

"Prokuroria e rrethit gjyqësor Krujë në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shtetit në lidhje me këtë ngjarje ka nisur kryesisht hetimet për veprën penale “Ndotje e ajrit e ujrave dhe tokës” me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave parashikuar nga neni 201 Kodit Penal.

Hetimi në lidhje me këtë ngjarje janë duke u kryer në drejtim të zbulimit të shkaqeve që kanë çuar në helmimin e banorëve si dhe individualizimin e përgjegjësive penale për personat përgjegjës" thuhet në njoftimin e sotëm të kësaj prokurorie.

Për këtë qëllim është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko – ligjor për të përcaktuar se cili ka qenë shkaku i helmimit të banorëve.

Gjithashtu mësohet se janë duke u kryer hetime në drejtim të analizave fiziko-kimike dhe bakteriale të ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Krujës, si dhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e të gjitha rrethanave në lidhje me këtë ngjarje.

UKK ia vuri fajin shiut

Dje Ujësjellësi i Kanalizimeve në Krujë informoi se nga të dhënat paraprake të analizave fiziko-kimike të deritanishme, dyshohet se reshjet e dendura të shiut ditën e shtunë pasdite dhe në orët e para të ditës së dielë, të kenë sjellë kontaminimin e ujit të pijshëm, ku paraprakisht është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë.   

Çfarë parashikon Kodi Penal

Neni 201

Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me
burgim gjer në dhjetë vjet.