Kriza e urisë në botë, vetëm 2% e pasurisë së Elon Musk mund të shpëtojë miliona jetë njerëzish

Një grup i vogël individësh të pasur mund të ndihmojë në zgjidhjen e krizës së urisë në botë me vetëm një përqindje të vogël të pasurisë së tyre, deklaron drejtori i Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara. David Beasley në një intervistë në CNN përmendi dy njerëzit më të pasur në botë, Jeff Bezos dhe Elon Musk.
"6 miliardë dollarë për të ndihmuar 42 milionë njerëz që do të humbasin jetën nga uria. Nuk është e komplikuar," shtoi ai.
Shefi ekzekutiv i Tesla-s Musk ka një vlerë neto prej afro 289 miliardë dollarë, sipas “Bloomberg”, që do të thotë se Beasley po kërkon një dhurim prej vetëm 2% të pasurisë së tij. Vlera neto e miliarderëve amerikanë është pothuajse dyfishuar që nga fillimi i pandemisë, duke arritur në 5.04 trilion dollarë në tetor.

Gjysma e popullsisë së Afganistanit, 22.8 milionë njerëz, përballet me një krizë akute urie, sipas një raporti të WFP të publikuar të hënën. Papunësia dhe kriza e likuiditetit do të thotë se vendi po kalon në prag të një krize humanitare dhe 3.2 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç janë në rrezik, thekson raporti. Në Etiopi gjithashtu 5.2 milion njerëz kanë nevojë urgjente për ndihmë ushqimore në rajonin Tigray.
Edhe administrata Biden ka lëshuar një paralajmërim të ashpër javën e kaluar: Efektet e ndryshimit të klimës do të jenë të gjera dhe do të sjellin probleme për çdo qeveri.
"Për shembull, merrni Shtetet e Bashkuara dhe rajonin në Amerikën Qendrore, Guatemalën, Hondurasin, El Salvadorin dhe Nikaraguan - vetëm në atë zonë," tha Beasley të martën. "Ne po ushqejmë shumë njerëz atje poshtë dhe klima po ndryshon me uragane dhe përmbytje të shpejta; është thjesht shkatërruese."
Organizatat humanitare si ajo e Programit Botëror të Ushqimit, kanë luftuar për të siguruar furnizime për ata në nevojë, por kriza vijon të komplikohet./Ora News/




