Helmimi i 370 qytetarëve në Krujë, Ora News kërkon informacion në spital për pacientët, drejtoresha mbyll derën

370 persona, mes të cilëve edhe dhjetëra fëmijë, janë paraqitur në Spitalin e Krujës me shenja helmimi që nga mëngjesi i së dielës, 24 tetor.

Gjatë ditës së djeshme numri i personave të shtruar në spital ka qenë 30.

Ora News ditën e sotme shkoi në ambientet e spitalit të Krujës për ta ndjekur nga afër gjendjen e pacientvë të shtruar, por gazetarja Sonila Musai nuk arriti të merrte informacion se sa pacientë kanë shkuar në spital dhe sa është numri i pacientë që qëndrojnë nën monitorimin e mjekëve.

Drejtoresha  e spitalit nuk ka pranuar të japë informacione duke u shprehur se prononcimin për medie e ka dhënë.

Në lidhje me situatën janë bërë analizat nga ISHP për të mësuar dhe shkaqet e helmimit të 370 personave.

Ora News ka kontaktuar me zëdhënësen e ISHP-së për të mësuar nëse  janë shkaqet e helmimit nga uji apo jo, por as ISHP nuk pranoi të jepte informacione.

Mbrëmjen e djeshme, lidhur me këtë ngjarje ka reaguar dhe Ujësjellësi i Krujës me anë të një njoftimi ku shprehet se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ditën e shtunë pasdite (23 tetor) dhe në orët e para të ditës së dielë ka pasur kontaminim të ujit të pijshëm ku paraprakisht është konstatuar edhe prezenca e amoniakut mbi normë.