Shqipëria do të marrë 700 mln euro borxh
Komisioni i Ekonomisë ka miratuar në parim kërkesën e qeverisë për të marrë deri në 700 milionë euro hua në tregjet financiare. Për opozitën borxhi publik është rritur në mënyrë të pakontrollueshme madje edhe për të përballuar pagat. Jorida Tabaku duke kërkuar që financimet të mos përdoren për projektet PPP nënvizoi rëndësinë e mirëmenaxhimit. Pavarësisht diskutimeve pa tensione, në përfundim të tij nuk mungoi përballja mes Eduard Shalsit dhe Dashamir Shehit.
Shqipëria do të kërkojë një borxh deri në 700 milionë euro në tregjet financiare. Në mbledhjen e komisionit te ekonomisë ministrja Delina Ibrahimaj shprehet se kjo shumë do të përdoret në investime dhe në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë
"Financimi i siguruar nga Eurobond do të përdoret në mbështetje të përgjithshme buxhetore, e cila do të aplikohet për shpenzime publike në sektorë kryesorë si arsimi, shëndetësia, bujqësia apo infrastruktura," tha Ibrahimaj.
Por deputetja e PD Jorida Tabaku shprehu shqetësimin për nivelin e borxhit që ka Shqipëria, teksa tërhoqi vëmendje se huatë janë përdorur deri për të paguar pagat
"Borxhi është marrë dhe për shpenzime operative, ne me borxhin kemi paguar dhe paga. Sot borxhi është rreth 6.3 miliard dhe zyrtarisht nga të dhënat kemi arritur në borxh në mbi 10.2 miliard, pra një rritje e borxhit me 3.5 miliard e stokut ët borxhit," tha Tabaku.
Sipas saj Shqipëria nuk duhet të marrë më borxh për të paguar projektet partneritet publik privat, për të cilat dhe FMN ka shprehur shqetësim.
"Nuk mund të marrim borxh për të paguar kontratat e PPP-ve," u shpreh Tabaku.
Por ministrja Ibrahimaj nënvizon se stabiliteti I ekonomisë në vend ka krijuar kushte të favorshme për të ndërhyrë në tregjet financiare
"Vlerësim të mirë të ekonomisë se ndryshe nuk do materializohej kjo rritje, kemi rritje të eksporteve, të prodhimit të brendshëm," tha Ibrahimaj.
Pavarësisht se në seancë nuk kishte debate, në përfundim të tij nuk munguan përplasjet mes kryetarit të komisionit Eduard Shalsi dhe deputetit Dashamir Shehi.
"Do bëj ironi, do qeshë, do marrë një kundërshtim apo një fjalë nga personi tjetër," tha Shalsi.
"Unë mund të qesh dhe kur thua ti ndonjë fjalë," tha Shehi.
"Patjetër, por ti nuk paske kuptuar fare," tha Shalsi.
"Unë jam 645 vjeç dhe kam 30 vjet në këtë Parlament. Mos e bëj më dhe kaq," përfundoi Shehi.

