70 milionë euro borxh për energjinë, deri në 1 janar jo rritje të çmimit të energisë për familjarët

70 milionë euro do të jetë huaja që do të merret nga BERZH si fond sigurie prej KESH për situata të paparashikuara.

Në komisionin parlamentar të politikës së jashtme kreu i OSHEE, Adrian Çela shprehet se për konsumatorët familjar nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë, pavarësisht krizës ndërkombëtare. Por për subjektet e mëdha gjithçka do të rishikohet në janar.

Çela: Deri në datën 1 janar nuk ka asnjë prekje të tarifës. OSHEE ka bërë aplikimin pranë entit rregullator, i cili provon tarifat dhe nuk ka aplikuar për asnjë rritje tarife.Pjesa tjetër është pjesë e një reforme që ka nisur që me aprovimin e ligjit në sektorin energjitik në mars të 2015-ës ku parashikonte tregun e liberalizuar gradualisht, ka filluar më shumë se 10 vjet para, ka vazhduar me 97 subjekte në vitin 2018 dhe më 1 janar e gjithë pjesa tjetër që është e lidhur me tension të mesëm të dalin në tregun e lirë edhe si pjesë e një projekti që ka filluar nga Banka Botërore.Platforma ka përfunduar, është në momentet e fundit kolaudimi dhe marrja e kësaj platforme nëpërmjet OST dhe OSHEE, kështu që rritje tarifash për ata 1 milionë abonentë që furnizohen nga OSHEE nuk do të ketë.

Për opozitën në sektorin e energjisë janë marrë kredi për investime teknologjike, por çuditërisht janë shtuar dhe punonjësit.

Bushati: A mund të më jepni një përgjigje logjike si ka mundësi që investohen 500 milion euro në sistem dhe rritet numri i punonjësve?

Por për Çelën gjithçka ka lindur për mangësitë e trashëguara.

Çela: CEZ e kishte lënë kompaninë me mbi 10 mijë fatura aforfe, nuk kishte lexues që të bënin leximin.

Nuk munguan as përplasjet me ministren e energjisë, ku deputetët premtuan shembuj të situatës.

Gështenja: Po flas për shtylla druri të kohës së Enverit që janë dëmtuar aq shumë saqë kanë mbetur 2 metra mbi tokë.

Një muaj më parë kreu i qeverisë Rama deklaroi masa emergjente për krizën energjetike, duke vendosur pezullimin e investimeve që nuk kanë të bëjnë me situatën e krijuar.