Hapet sërish “Pushimi i Shoferit” Barrierat metalike në Lushnje-Fier u hoqën pas protestave të banorëve

Pas protestave të banorëve,  barrierat në Pushimin  e Shoferit në autostradën Lushnje Fier u hoqën sërish duke lejuar përdorimin e saj si nyje lëvizje për mijëra banorë të Lushnjes dhe Divjakës.

Barrierat për ndalimin e lëvizjes së mjeteve në kryqëzim u vendosën nga ARRSH, por ngjallën reagime të ashpra të banorëve të dy bashkive.

Mëngjesin e kësaj të shtune ata bllokuan për disa minuta qarkullimin në autostradë, duke bërë që vargu I makinave të shkonte në disa kilometra në të dy senset e lëvizjes.

Mbyllja e kryqëzimit, detyronte banorët nga fshatrat e Divjakës drejt Lushnjes duhet të kthehen në rrethrrotullimin  e Kolonjës, ndërsa banorët e Lushnjes që do udhëtojnë drejt Fierit, do kthehen në Savër.

Për ta kjo do të thotë kohë e harxhuar dhe shpenzime të shtuara.

"Ne me bujqësi merremi. Ku të iki unë, të shkoj në Kolonjë, 16 kilometra më tepër dhe të kthehem parë, janë shpenzime."

Kundër vendimit të ARRSH në krah të banorëve doli edhe deputeti Socialist Erjon Braçe dhe të zgjedhurit e Partisë Demokratike.

Ish zëvendës kryeministri me një postim në rrjetet sociale e cilësoi mbylljen e kryqëzimit lehtësi për shtetin por kosto për mijëra fermeërë të zonës.

Ndërsa deputetët demokratë ishin në protestë në krah të banorëve duke mbështetur kërkesën për ndërtimin e nënkalimeve.

"Në mandatin e tretë duhet të ishte bërë një mbikalim. Duhet të ishte gjetur zgjidhje për këtë problem."

Autostrada Lushnje Fier parashikonte edhe një mbikalim rreth 200 metra nga kryqëzimi I Pushimit të Shoferit, që do të ishte alternativë e mirë e lëvizjes për rreth 100 mijë banorët e zonës që kryesisht merren me bujqësi./Ora News/