Digjet landfilli ilegal në Kurbin/ Mbetjet në flakë pas kritikave të Ramës për kryebashkiakët

Kjo ishte pamja e Laçit vetëm disa orë pasi kryeministri, Edi Rama kritikoi kryebashkiakët për dështim me menaxhimin e mbetjeve urbane.

Vendgrumbullimit të mbeturinave mbi kodrat e qytetit i ishte vënë flaka natën dhe mëngjesi sot e gjeti zonën të mbuluar nga tymi i zi toksik.

Për të normalizuar situatën në vendgrumbullimin e plehrave kanë mbërritur fadroma dhe zjarrfikësit e Laçit, të cilët po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve me qëllim që të mos përhapen ne kurorën e gjelbër të qytetit.

Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara akuzoi se zjarri ishte i qëllimshëm,, ndërsa për të hequr përgjegjësitë theksoi se vendgrumbullimi ishte i mbyllur prej një viti e gjysmë dhe mbetjet tani dërgohen në landfillin e Bushatit.

"Depozitimi i mbetjeve të Bashkisë Kurbin shkojnë në landfillin Bushat. Nuk ka vend depozitime në Kurbin të tjera. Ky është një vend depozitim prej vitesh i mbyllur."

Gjatë këtij viti shumë Bashki janë përballur me krizë të menaxhimit të mbetjeve si pasojë e dështimit me menaxhimin.

Me skenar të ngjashëm si në Kurbin, janë përballur edhe qyteti i Fierit, Lushnjes dhe Vlorës, ku fushave të mbetjeve i është vënë flaka!

Shpëtim Bashkitë kanë gjetur vetëm pas marrëveshjeve me incineratorët dhe landfillet por kjo zgjidhje u kushton shumë.

Kryeministri Edi Rama të premten paralajmëroi bashkiakët se do të përballen me pasoja ligjore nëse nuk administrojnë si duhet mbetjet.