Berisha: Opozita ka dështuar në 8 vite, Basha në vend që të dilte në shesh, po merret me karrigen e tij

Nga Berati, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se të gjithë ato që ka bërë qeveria kanë ndodhur sepse vendi ka pasur një opozitë të paaftë dhe të dobët.

Ai tha se opozita në vend që të mbushte sheshet në mbrojtje të votës, Basha u kthye që të merrej me karrigen e tij.

Berisha: Të gjitha këto kanë ndodhur sepse vendi ka pasur një opozitë të paaftë dhe të dobët. Kjo opozitë dështoi në çdo nismë që ndërmori në 8 vite. Kjo opozitë nuk fitoi dot besimin e shqiptarëve, që u tha shqiptarëve që do të mbronte votën, por nuk e mbrojti dot. 25 prilli ishte një dramë e madhe për shqiptarët.

Rama përdori sistemin e patronazhistëve për të vjedhur votat, si skllavopronarët dhe diktatura. Ai përdori bandat dhe kartelet e drogës. Kreu i opozitës në vend që të mbushte sheshet në mbrojtje të votës, u kthye dhe po merret me karrigen e tij. Na bëri një dëm të jashtëzakonshëm. Ky e harroi masakrën dhe iu vërsul karriges së tij. Ky është një mashtrim i madh ndaj jush.

Unë kam përgjegjësitë e mia dhe kërkoj ndjesë para demokratëve të Shqipërisë, sepse unë e mbështeta Bashën publikisht me qëllimin e vetëm që t’ia dilnim që të fitonim zgjedhjet. Qysh kur i kërkova në vitin 2017 dorëheqjen dhe ai refuzoi, unë duhet të hiqja dorë nga vendimi për tu larguar pa kthim dhe duhet të kthehesha në betejë me të.