Vaksinimi i studentëve, “përçan” komitetin e ekspertëve, Brataj: Vaksina jo detyrueshme
Vaksina anticovid nuk është në listën e vaksinave të detyrueshme, ndaj anëtari i komiteti të ekspertëve Skënder Brataj thotë se për studentët doza anticovid, nuk është e detyruar por e këshilluar.
Brataj shprehet se nuk është dakord të me ndarjen e studentëve në dy grupe.
"Nuk është detyrim, është këshillim gjithmonë. Vaksinat anticovid nuk janë në listën e vaksinave të detyrueshme, ligji i sëmundjeve infektive ka rregulla të caktuara ku ndalon hyrjen, lëvizjen, izolimin dhe jemi akoma në kushte pandemie. Fakti që janë veçuar studentët nuk është i drejtë, nuk është studente, nuk e ka askush me studentët sepse janë qytetarë shqiptarë si çdo qytetar tjetër," tha Brataj.
Ndërkohë që brenda kësaj jave pritet të nis vaksinimi për gripin, Brataj thotë se ajo mund të aplikohet paralelisht me atë anticovid, pas një afati kohor të përcaktuar nga mjeku i familjes.
"Është e këshillueshme që në qoftë se dikush duhet të bëjë vaksinën e gripit mund ta bëjë atë, pavarësisht faktit nëse ka bërë apo jo vaksinën e Covid. Edhe në qoftë se ka bërë atë të covid ato mund të bëhen me një distancë të shkurtës midis njërës dhe tjetrës, nuk ka problem. Përkundrazi mund të ketë një sinergji mes vaksinave që të kemi një imunitete edhe më të mirë," tha Brataj.
Megjithëse është vënë re një përmirësim i lehtë i pandemisë, Skënder Brataj sqaron se dy ditët e fundit është vënë re një rritje e lehtë e shifrave të të infektuarve, e bashkë me të edhe vizitat në banesë për covid.
"Ka një rritje të lehtë të numrit të vizitave, ishin 350 tani janë rreth 390, rreth 200 konsulta mjekësore," shtoi Brataj.
Në mbledhjen e radhës së komitet teknik të ekspertëve pritet që ministria e shëndetësisë ti jap dritën jeshile përdorimit të dozës së tretë të vaksinës anticovid te personat mbi 60 vjeç, dhe të fëmijët mbi 12 vjeç.
