Lobimi gjerman për negociatat në pikëpyetje, Qeveria e re pritet në dhjetor
Për mazhorancën e kryeministrit Rama, Shqipëria dhe BE duhet të mbajnë brenda Krishtlindjeve konferencën e parë ndërqeveritare për mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit.
Por për Gjermaninë, e cila nuk ka një shumicë qeverisëse, kriza për koalicionet pritet të zgjidhet po në këtë periudhë, në dhjetor.
Ndaj dhe lobimi gjerman për integrimin e Shqipërisë në BE do të presë janarin. Këtë konfirmuan në Tiranë dy deputetët socialdemokratë Nils Schmid dhe Christian Petry.
"Në Gjermani jemi në procesin e formimit të qeverisë së re, e cila pritet të mbyllet në dhjetor dhe më pas në fillim të vitit tjetër jemi të lumtur që me anëtarët e qeverisë së re të marrim pjesë edhe më intensivisht në proceset e integrimit Europian për Shqipërinë. Ne jemi të bindur që procesi i integrimit është i rëndësishëm dhe kjo do të thotë që Shqipëria të ketë zhvilluar pjesën ekonomike dhe të ketë arritur standarte të cilat do të jenë në të mirë të shoqërisë.
Ne jemi të bindur që Partia Socialiste dhe qeveria ka një rol shumë të rëndësishëm dhe me ndihmën e BE-së të ecin përpara në këtë proces. Në kemi diskutuar me z. Balla lidhur dhe me Grupin Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Gjermani dhe për rolin që ka për bashkëpunimin dhe lobimin midis dy vendeve për sipërmarrjen. jemi të bindur që kjo iniciativë do të forcojë bashkëpunimin mes dy vendeve edhe në të ardhmen".
"Për sa i përket Gjermanisë, duhet të presim formimin e qeverisë dhe kancelarin e ri gjerman. Ato kanë marrë progres raportin e ri dhe nga pamja e parë është shumë pozitiv dhe do shqyrtohet edhe më tej deri në vendimarrjen nga pala gjermane".
Pavarësisht krizës politike në Berlin, Taulant Balla, kryetari i grupit parlamentar socialist bazohet te konluzionet e progres-raportit të Brukselit.
"Kjo vizitë vjen menjëherë pas publikimit të paketës së zgjerimit nga ana e Komisionit Europian ku u ritheksua dhe një herë se Shqipëria dhe BE duhet të mbajnë brenda Krishtlindjeve konferencën e parë ndërqeveritare, e cila i hap rrugën procesit të negocimit të marrëveshjes për anëtarësim".
Deputetët e të majtës gjermane përgëzuan deputetët opozitës për rikthimin në parlament ndërsa me homologët e tyre socialistë kanë në plan lobimin për sipërmarrjen përmes grupimit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Gjermani.

