Cirk te ministria e Kulturës, artistët protestojnë me shfaqje: Po shkatërrohet çdo vlerë
Mëngjesin e kësaj të enjte përmbaruesit kanë çmontuar një pjesë të çadrës së Cirkut Kombëtar.
Artistët nuk janë lejuar që të futen brenda ambienteve ku kanë dhënë shfaqje prej shumë vitesh pavarësisht se një ditë më parë iu komunikua se do t’u lihej mundësia për të hequr gradualisht të gjitha pajisjet që përdorin për performancat e tyre.
Te gjendur pa një zgjidhje se ku do të punojnë u nisen në këmbë drejt ministrisë së Kulturës si shenjë proteste për të kërkuar t'u jepet një zgjidhje se ku do të vendosen .
"Ne nuk kemi një ambient ku të performojmë, të gjithë artistët janë bërë gati për të performuar te ministria e Kulturës deri në një moment kur ministria do e vlerësojë artin e cirkut dhe do vendosë ku do ndërtohet Cirku i ri dhe ku do e japin aktivitetin artistik këta artistë."
"Po presim që ministria e Kulturës të dalë me një deklaratë zyrtare dhe gjithashtu të na presë dhe të na i shpjegojë ne dhe publikut se ku do bëhet shfaqja e së shtunës të cilën ne e kemi në program."
Ashtu siç premtuan, performuan disa numra.
Pa veshjet e duhura artistët thonë se sot nuk u lejuan të marrin gjërat e tyre.
"Sot në Cirkun Kombëtar është shkatërruar gjithçka. Nuk na lejuan të marrim rrobat, veglat e punës dhe personale çfarë kemi. Dje na mashtruan sepse na thanë që nuk do lëvizet asgjë, ndërkohë sot vijmë përballemi me një fakt të shëmtuar."
"Të gjithë këtu pa përjashtim kemi mbi 10 vite minimumi, të gjithë jemi stërvitur te palestrat e Cirkut Kombëtar dhe kemi dhënë shfaqje shumë katastrofë që të shikoje çadrën e Cirkut Kombëtar që ishte duke u shqepur. Ne presim një reagim, duhet të ishte dhënë por mesa duket presin që ne të bëjmë shfaqje këtu, ndoshta nuk na kanë parë asnjëherë. I presim të na shohin."
Toka ku është ngritur çadra e Cirkut, është njohur nga Gjykata si pronë private një sipërmarrësi që në vitin 2014.
Prej asaj kohe çështja nuk ka marrë zgjidhje ndërkohë që artistë e cirkut janë përplasur vazhdimisht me zyrtarët e përmbarimit të cilët kanë kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës.
Sipas përfaqësuesve të ministrisë së Kulturës vendimi u është bërë i ditur pasi kishte mbaruar e drejta për të bërë ankimim.
Ndërkohë nesër në orën 10:00 artistët do dorëzojnë pranë Këshillit të Lartë të Shtetit dosjen e pronës qe e cilësojnë si aferë.




/OraNews/
