U padit në SPAK nga LSI, Bllako: Zero rol në procedurat vendimmarrëse për dhënien e koncesioneve
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, ka kallëzuar për shkelje kryebashkiakun e Fierit Armando Subashi, ish-ministrin Lefter Koka dhe Alqi Bllakon. Sipas dokumentit, landfillit iu dha më shumë tokë nga parashikimi, iu shty afati si dhe nuk u pyet komuniteti.
Ndërkohë Alqi Bllako, i cili aktualisht është deputet i PS, në një deklaratë për mediat ka reaguar duke thënë se ka pasur zero rol në çdo procedurë vendimmarrëse për dhënien e koncesioneve.
Deputeti ka dhënë dhe një mesazh për ata që kanë hedhur akuza ndaj tij duke thënë se “vetingu i politikanëve do t’i jepte njëherë e përgjithmonë fund kësaj tallje publike”
Deklarata e plotë:
“Jam njohur nëpërmjet medias me padinë e tretë apo të katërt për të njëjtën çështje, e cila rihidhet në treg me qëllimin e vetëm për të prodhuar zhurmë.
Pavarësisht pozicionit që kam mbajtur si Sekretar i Përgjithshëm pranë Ministrisë së Mjedisit, ligji për konçensionet dhe partneritetin publik-privat i ka fare qartë të përcaktuara rolet dhe detyrat e çdo institucioni të përfshirë në proçes apo titullar/anëtar të komisioneve përkatëse.
Duke shprehur besimin se kolegët e çdo institucioni kanë zbatuar rigorozisht ligjin, deklaroj me përgjegjësi të plotë se kam patur zero rol në çdo proçedurë vendimmarrëse për dhënien e këtyre konçesioneve direkt apo indirekt. Në çdo rast, ju përket vetëm organeve të drejtësisë të përcaktojnë nëse ka ose jo shkelje; dhe nëse po, cilët janë personat përgjegjës.
Sa i përket atyre që vazhdojnë të hedhin në treg akuza të tilla, mendoj se vetingu i politikanëve do t’i jepte njëherë e përgjithmonë fund kësaj tallje publike”/Ora Nrews/
