Bashkëpunim me PD me kryetar Sali Berishën? Soreca: Asgjë nuk do të ndryshonte për BE
Nga Korça, ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, ka thënë se unioni nuk do të ndalë bashkëpunimin me Partinë Demokratike pavarësisht kush vjen në krye të saj. Soreca ka theksuar më tej se liria e medias në vendin tonë është mjaft e rëndësishme, dhe se roli i gazetarëve është kyç.
Në kulmin e tensioneve në PD, ku Sali Berisha pasi u shpall "non grata" nga SHBA kërkon shkarkimin e Bashës, Bashkimi Europian deklaron se nuk do të ndalë bashkëpunimin, edhe nëse do të ketë rotacion drejtuesish.
Ambasadori i delegacionit të BE-së në Tiranë, Luigu Soreca, i pyetur në Korçë mbi këtë situatë shprehet se është duke i ndjekur zhvillimet.
Pyetje: A janë të gatshme vendet e BE për të bashëpunuar me PD që në një të ardhme mund të drejtohet nga zoti Berisha.
Soreca: Ne punojmë dhe bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike. Kemi bashkëpunuar me PD dhe kur ishte jashtë Kuvendit dhe do ti ndjekim zhvillimet brenda partisë. Asgjë nuk do të ndryshonte, do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha forcat politike.
Soreca foli edhe për ndryshimet kushtetuese që janë propozuar nga PD, që nga vetingu i politikanëve te harta territorialr e Kodi Zgjedhor, ndërsa tha se delegacioni nuk i ka lexuar propozimet ende por është e rëndësishme diskutimi mes partive.
Soreca: Ne ende nuk e kemi lexuar propozimin e opozitës, është dorëzuar në Kuvend nga PD por siç e thashë dhe dje, kjo është demokracia.Tashmë opozita është kthyer në parlament, do diskutohet midis mazhorances dhe opozitës.
Ambasadori i BE edhe një herë e vuri theksi te roli i gazetarëve në demokraci.
Soreca: Ne e kemi bërë shumë të qartë rolin e gazetarëve në Lirinë e Mediave. Ne jemi shumë të qartë për rolin që luajnë gazetarët, dhe i japim shumë rëndësi rolit të gazetarëve. Është kyçe, dhe e rëndësishme që gazetarët të kenë akses në të gjitha aktivitetet që kryhen dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme. Ne do t’i ndjekim të gjitha zhvillimet nga afër, sepse liria e Medias në BE është shumë e rëndësishme.
Soreca zhvilloi një vizitë në Korçë të enjten, ku drejtues të pushteteve lokale në juglindje dhe atyre të Maqedonisë zhvilluan një aktivitet se bashku, për bashkëpunimin në të ardhmen.
