Vettingu i politikanëve nga SPAK, Rushaj: S'kemi asgjë për të fshehur, gjykimi publik jo pas dyerve të mbyllura
Drafti për vettingun e politikanëve nxori sërish në një komunikim me median kreun e grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj.
Nga selia blu, ai tha se në draftin për vettingun e politikanëve është përdorur i njëjti standard si në vettingun e magjistratëve, prokurorë dhe gjyqtarë, dhe nuk ka asnjë arsye që për politikanët të përdorin një standard tjetër.
"Çdo fjalë që është përfshirë në draftin tonë është fjalë e përdorur të ligji për magjistratët. Nëse ju do ta kishit shqetësimin e të drejtave të njeriut duhet ta kishit që atëherë".
Rushaj sqaroi edhe propozimin e PD-së që ky vetting të kryehet nga SPAK në një kohë që nga kjo parti dhe kryetari i saj kanë krijuar në vijimësi punën e kësaj strukture.
"Unë nuk shoh dualizëm. Basha është shprehur qartë cili është qëndrimi i PD. Ne kemi rezerva me punën e SPAK e s’kemi lëvizur nga ai qëndrim por ne po investojmë tek kjo gjë për dy arsye. E para se s’kemi asgjë për të fshehur pavarësisht kush e bën vetingun e politikanëve, e dyta duke qenë proces publik jo pas dyerve të mbyllura prokurorët e SPAK që do merren me këtë punë do duhet që ta bëjnë vendimmarrjen e tyre publike, standardi i tyre do jetë standardi publik. Nuk mundet që kryetari i grupit të PD Alfred Rushaj të gjykohet mbi bazën e një standari dhe ai i PS, Taulant Balla mbi bazën e një tjetër standarti.Nëse kjo bëhet publikisht, kjo do jetë gjykimi më i mirë që qytetarët shqiptarë do i japin punës së SPAK-ut".
I pyetur nëse ky angazhim i ri e kolapson punën e SPAK, i cili është ankuar për mbingarkesë, ai u përgjigj.
"Kjo është marrë në konsideratë nga ne kur është bërë propozimi. Në Kushtetutë ka vetëm një minimum të numrit të prokurorëve të SPAK që duhet të ketë kjo strukturë, sot janë 15. Ajo që propozojmë është t’i japim SPAK gjithë burimet e nevojshme si njerëzore, të infrastrukturës dhe padyshim financare që mos e mbingarkojmë përkundrazi ta lehtësojmë. Propozimi ynë është të shtohen, por kjo është diçka teknike".
