Informacioni i klasifikuar pa kontroll, Çuçi: Abuzim me certifikatat e sigurisë në polici

Shtatë vite pas krijimit, SHÇBA do të shkrihet dhe në vend të saj do të krijohet Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila do të përfshijë si blutë por edhe gardën dhe zjarrfikësen.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, në prezantimin e nismës theksoi se janë vërejtur një sërë shkeljes të paktën sa i përket marrjes së cerfitikatës së sigurisë.

Madje nuk kanë munguar rastet kur certifikata e sigurisë i është hequr, por efektivi ka marrë informacione.

Në këtë situatë nuk ka përjashtuar mundësinë e keqpërdorimit të të dhënave.

Çuçi: Aktualisht veprimtaria e pajisjes me certifikatë ndiqet nga policia dhe SHÇBA. Ndjekja në këtë mënyrë e këtij procesi ka ndikuar në krijimin e hapësirave abuzuese. Nga inspektimet e SHÇBA në polici janë identifikuar një sërë problemesh. Nuk respektohet doktrina e nevojës për njohje në funksionet që punohet me informacionin e klasifikuar. Krijiohen periudha të pambuluara ndërkohë që punonjësi vazhdon të punojë me informacion të klasifikuar.

Në emërime apo transferime të punonjësve nuk është marrë shpesh herë në konsideratë niveli i certifikatës që ka punonjësi, edhe pse u është pezulluar apo refuzuar pajisja me certifikatën e sigurisë të punonjësve nga DSIK këta punojnës kanë vazhduar të njihen me informacionin e klasifikuar. Nuk kanë krijuar një database për të kontrolluar dhe mbikqyrur punonjësit që nuk janë të pajisur me  certifikatë apo u mbaron afati dhe duhet të riaplikojnë. 

Çuçi deklaroi gjithashtu se punonjësit e agjencisë, por dhe rekrutimet në strukturat e reja do të bëhen vetëm pas ekzaminimit poligrafik.

Për makinën e së vërtetës tashmë janë trajnuar pesë ekspertë.

Çuçi: Për procesin e ekzaminimit poligrafik kemi trajnuar 5 ekspertë në funksion të kontrollit të figurës dhe do të aplikohet dhe në rekrutimin e  punonjësve të agjencisë në të ardhmen dhe për rekrutimin e subjekteve që mbikqyr Agjencia.