Inceneratori i Fierit në SPAK, LSI: U ndryshuan afatet dhe iu dha më shumë tokë
Në SPAK është nisur një tjetër padi sa i përket incineratorëve. LSI ka kallëzuar për shkelje kryebashkiakun e Fierit Armando Subashi, ish-ministrin Lefter Koka dhe Alqi Bllakon. Sipas dokumentit, landfillit iu dha më shumë tokë nga parashikimi, iu shty afati si dhe nuk u pyet komuniteti.
LSI ka paraqitur në SPAK kallëzimin ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, kryetarit të Bashkisë Fier Armando Subashi dhe ish- sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako.
Në deklaratën për mediat renditen 6 shkelje që sipas kësaj force politike janë bërë për ndërtimin e landillit të Fierit.
Sipas dokumentit, përcaktimi i procedurës tender kombëtar dhe jo i hapur ndërkombëtar, ka sjellë kufizimin e konkurrencës e si pasojë është bërë shkelje e barazisë në tendera.
Po ashtu është ndryshuar vendi i ndërtimit të inceneratorit, nga 6 hektarë në Portëz i është dhënë 11.3 hektarë.
Me këtë veprim, sipas LSI-së, Subashi dhe Koka kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 46 milionë lekësh.
Në padi pretendohet se tre ditë pas firmosjes së kontratës është ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive ofertuese të shërbimit.
Ky veprim konsiderohet se është bërë pa verifikuar më parë kriteret e kualifikimit dhe pa marrë miratimin nga Ministria e Financave.
Ndërkaq ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit Bllako akuzohet se ka zgjatur afatin e ndërtimit të impiantit në 5 vite kur duhej të realizohej brenda 20 muajve, siç dhe e kishte propozuar fituesi.
Me këtë veprim sipas LSI-së bie pretendimi se impianti u realizuar në emergjencë mjedisore.
Shkelja e pestë renditet procedura e ndjekur pasi akuzohet se Publikimi i Procedurës është kryer pa marrë miratimin nga Ministria e Financave, që është e detyrueshme me ligj.
Ndërkaq akuza e fundit renditet konsultimi me banorët e zonës.
Për LSI, zhvendosja e incerenatorit u bë duke shkelur ligjin lidhur me detyrimin për të marrë mendimin e komunitetit të banorëve të zonës.
Shkeljet e koncesionit në incerenatorin e Fierit sipas LSI
1. Procedura është publikuar si ‘Tender Kombëtar’, ndërkohë që sipas vlerës duhej të ishte ‘Tender i Hapur Ndërkombëtar’. Kjo ka sjellë kufizimin e konkurrencës, faktin që ka marrë pjesë vetëm një subjekt. Vepra Penale: ‘Shkelje të Barazisë së Pjesëmarrësve në Tendera’.
2. Ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit. Nga një sipërfaqe 6 hektarë pa pagesë në Portëz, ka kaluar në një sipërfaqe 11.3 hektarë, sipërfaqe kjo që duhej të shpronësohej, duke i sjellë dëm ekonomik shtetit shqiptar në vlerën 46 milionë lekë të reja. Vepra penale: ‘Shpërdorim Detyre i ish-Ministrit Lefter Koka dhe Kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi.
3. Tre ditë pas firmosjes së kontratës, ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive ofertuese të shërbimit. Pa verifikuar më parë kriteret e kualifikimit dhe pa marrë miratimin nga Ministria e Financave. Vepra Penale: ‘Shpërdorim Detyre’ dhe ‘Shkelje e Barazisë së Pjesëmarrësve në Tendera’.
4. Nga 20 muaj që parashikohej të ndërtohej impianti(Propozimi i Fituesit), me marrëveshje të firmosur nga Alqi Bllako, është zgjatur afati deri në 31 Mars 2021. Pra, me shumë se 5 vjet, duke bërë që të rrëzohej pretendimi i ngritur nga palët për situatën e emergjencës mjedisore.
5. Publikimi i Procedurës është kryer pa marrë miratimin nga Ministria e Financave, që është e detyrueshme me ligj.
6. Zhvendosja e incerenatorit u bë duke shkelur ligjin lidhur me detyrimin për të marrë mendimin e komunitetit të banorëve të zonës
