Rushaj: Pastrimi i politikës dhe reforma territoriale parësore, propozimet e PS do diskutohen hapur

Partia Demokratike shprehet e hapur për të diskutuar me mazhorancën për reformën në drejtësi, pastrimin e politikës dhe për reformën territoriale. Por para mediave, Alfred Rushaj, deklaron se bisedimet do të jenë vetëm përballë kamerave.

Vettingu i politikës dhe i drejtësisë, reforma territoriale dhe ndryshimi i Kushtetutës janë pikat që e detyrojnë PD dhe  PS të ulen në një tryezë diskutimi.

Por demokratët deklarojnë se nuk do të ketë bisedime me dyer të mbyllura.

"Prioritetet tona të shprehura disa herë kanë të bëjnë me votën e lirë dhe reformën zgjedhore, reformën territoriale, me ofrimin sa më afër shërbimin te qytetarët që sot duhet të lëvizin qindra kilometra për ti marrë si dhe korrupsionin dhe pastërtinë e figurës së politikanëve shqiptarë".

Nënkryetari i PD-së,  Alfred Rushaj, thekson rëndësinë e pastrimit të politikës por dhe të kthimit të komunave dhe rishikimit të bashkive.

"Nuk mundet që kryetari i grupit të PD Alfred Rushaj të gjykohet mbi bazën e një standari dhe ai i PS, Taulant Balla mbi bazën e një tjetër standarti.Nëse kjo bëhet publikisht, kjo do jetë gjykimi më i mirë që qytetarët shqiptarë do i japin punës së SPAK-ut. Që të ndryshohet kodi zgjedhor duhen aq vota, që të ndryshohet Kushtetuta duhen aq vota. Ne kemi mandatet që kemi në parlament. Patjetër nëse do të ndryshohet kodi zgjedhor dikush do të duhet ta votojë. Nuk do të doja që e gjithë vëmendja të kufuizohet nëse duhet të ketë 60 komuna, 30 apo 90 komuna."

Rushaj edhe një herë solli në vëmendje kritikat që opozita ka për SPAK, por shtoi se rëndësi ka vazhdimi i reformës.

Gjithashtu nënkryetari i PD kërkoi hetimin e dosjeve të mëdha.