"T'i japim shans dialogut”/ Boçi: Rama i pabesueshëm në deklarata, kërkon t’i heqë opozitës flamurin e betejës politike

Partia Demokratike depozitoi sot në Kuvend amendamentet kushtetuese për reformën zgjedhore, territoriale dhe vettingun e politikanëve. Ndërkohë kryeministri Rama pak më vonë gjatë një konference që ka mbajtur me Ambasadorin e BE, Luigi Soreca nënvizoi një dialog të drejtpërdrejtë me Opozitën dhe jo siç tha ai përmes “pasqyrave”.

Ndërkohë deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, u shpreh se kreu i qeverisë është i pabesueshëm në deklaratat e para që bën teksa shton  se më pas ai ndryshon qëndrimet.

Gjuha që përdori Rama në deklaratë Boçi e konsideron si një mesazh për ndërkombëtarët para daljes së progres raportit.

Luçiano Boçi: Nga përvoja dhe nga mënyra se si e sjellë politik-bërjen Rama është i pabesueshëm në deklaratat e para që bën, sepse ai bën një ndryshim drastik qëndrimeve përgjatë kohës që kalon. Atëherë kur fillon dhe gjykon  dhe pasojën që do të sjellë iniciativa e PD për veten e tij. Në çështjet  e tjera ka pasur një horizont ‘mikëpritës’, por unë e gjej si një gjuhë për t’u dhënë mesazh ndërkombëtarëve para daljes së progres raportit.

Boçi thekson se Rama kërkon që t’i heqë opozitës flamurin e betejës politike.

Luçiano Boçi: Nga ana tjetër kërkon që t’i heqë opozitës flamurin e betejës politike. sepse bërja e propozimeve të tilla nga PD, nuk është kërkesë bashkëpunimi me mazhorancës, është thjesht e luftës politike që bën opozitës. Ne do bëjmë dhe propozime që pengojnë masakrën Kushtetuese që solli masakrën zgjedhore.

 Propozimet tona janë konkrete. Paketa kërkon që të kalojë në sitën e Vettingut, kupola lartë politike, përfshirë deputetë, drejtues të njësive vendore, të bashkive por edhe drejtues të administratës. Këta të ndëshkohen në bazë të gjetjeve në rast se vettingu konstaton që pasuria e tij, favoret e tij, janë vendosur në mënyrë të padrejtë. Kjo do të sillte një ndryshime klime në politikë.