Kryetari i PD firmos shkarkimin e Luan Baçit, Noka: Hakmarrja e Bashës për hesap të Ramës
Pas Flamur Nokës të cilin e shkarkoi nga nënkryetar i Komisionit të Sigurisë, radha e përjashtimeve i kaloi Luan Baçit, i cili me urdhër të kryetarit Lulzim Basha u largua nga drejtimi i degës së PD-së në Fier. Shkak mësohet se është bërë rreshtimi i tij në krah të “Foltores” së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili kërkon mbledhjen e këshillit kombëtar për shkarkimin të vetë Lulzim Bashës.
Qëndrimet e shprehura publikisht nga Luan Baçi nuk i kanë pëlqyer Lulzim Bashës dhe këtë të mërkurë ai ka firmosur largimin e tij nga kryetar dege të PD-së në Fier.
Në një deklaratë për mediet Baçi thotë se nuk ka asnjë vendim zyrtar për shkarkimin e tij.
"Një veprim të tillë do ta quaj të nxituar dhe absolutisht që sjell problematika në anëtarësinë e PD-së. Nuk është marrëzi që ne të pranojmë gabimet në vendimmarrjet tona, që nga kryetari i degës e deri të kryetari i PD, Lulzim Basha," u shpreh Baçi.
Për këtë çështje ai ka sqaruar dhe kryesinë e Fierit, ndërsa thekson se lëvizja e Berishës po shkund nga themelet demokratët.
"Në mëngjes u ndodha para një fakti ku mediet, portale, televizionet jepnin lajmin e shkarkimit dhe emërimit të dikujt tjetër dhe si i tillë bëra një njoftim kryesisë së degës për të bërë një takim me ta dhe për t'i d hënë përgjigje pyetjeve të tyre. Kjo lëvizje ka filluar që të shkundë të gjithë demokratët, anëtarësinë e PD-së, strukturat e PD-së në të gjitha degët dhe në të gjitha rrethet," tha Baçi.
Deputeti i PD-së është shprehur se lëvizja e Berishës nuk duhet të shërbejë për përjashtime nga PD.
"Nuk më pëlqen fare kur themi largimi i zotit Basha nga PD, ai është pjesë e partisë, është kryetari aktual, por pse jo duke ju nënshtruar proceseve demokratike brenda partisë nuk ka njeri të palëvizshëm dhe nuk do të thotë kjo që mund të lëviz nga kryetar i degës dhe s'jam pjesë e e partisë demokratike," vijoi Baçi.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar ashpër edhe deputeti tjetër i PD-së Flamur Noka . Përmes rrjeteve sociale Noka ka hedhur akuza të forta në drejtim të Bashës. Sipas Nokës, PD po vuan katandisjen më të rëndë të cilën ja shkakton Lulzim Basha dhe se ky shkarkim është një hakmarrje për hesap të Ramës./OraNews/
