Nderohet rreshteri britanik/ Humbi jetën në '43, eshtrat e Peter Twiddy varrosen në Tiranë
Rreshteri Peter Twiddy, ishte pjesë e skuadrës “Special Duty" që 78 vite më parë erdhi me mision për të ndihmuar trupat shqiptare dhe britanike që luftonin ndaj pushtuesit fashist.
Fatkeqësisht ai humbi jetën pasi avioni “Halifax HR674” u rrëzua në Dukat të Vlorës.
Eshtrat e tij u varrosën këtë të mërkurë në 100 vjetorin e lindjes së tij, krah kolegëve të tjerë në varrezat e ushtarëve britanikë në kodrat e liqenit në Tiranë.
"Sot ne i bëjmë homazhe anëtarit të njërit prej ekuipazheve "Special Duty", rreshterit Peter Twiddy i cili bëri sakrificën e fundit për Mbretërinë e bashkuar, Shqipërinë dhe paqen në Evropë. Rreshter Twiddy në emër të Madhërisë së saj Mbretëreshës dhe Forcave të Armatosura unë ju nderoj për sakrificën tuaj.
Ju jeni shëmbëlltyra e të gjithë të rinjve britanikë, shqiptarë dhe të kombeve të tjera aleatë që dhanë jetën për të çliruar të tjerët dhe për të na mbrojtur të gjithëve. Britania e Madhe vajton të vdekurit e saj përtej detit të rënë për kauzën e lirisë," u shpreh ambasadori britanik.
Nga muaji në vijim dhe gjatë gjithë vitit të ardhshëm, 100 vjet pasi u hapën misionet diplomatike mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, dy vendet do të kremtojnë njëqindvjeçarin e marrëdhënieve.
