"Rritja e çmimeve është e përhershme", Zusi: Nëse politika bashkëpunon mund të dalim të fituar nga kriza

Rritja e çmimeve të shportës bazë së ushqimeve, aho e hidrokarbureve dhe e energjisë elektrike kanë sjellë jo pak polemika jo vetëm nga qytetarët por edhe mes aktorëve politikë.

I ftuar në studion e lajmeve të Ora News me gazetaren Matilda Mcini, Alban Zusi u shpreh se kemi muaj që e perceptojmë se diçka po ndodh dhe me shumë gjasa nuk do të jetë një ngritje e përkohshme.  Më tej ai u shpreh se kjo është një rritje e përhershme dhe nuk do ketë kthim prapa, edhe pse është një lajm i pakëndshëm kjo është e vërteta.

Zusi: Nuk do doja ta thosha sepse e di që për shumë njerëz mund të jetë dhe disi traumatike, por ky është fakti dhe është më mirë që ta dimë dhe të përgatitemi. Edhe qytetarët, edhe bizneset por edhe qeveria të përgatitet për këtë realitet të ri që po futemi.

Sipas tij shkak është rritja e çmimeve të lëndëve të para. Qeveria luan një rol të rëndësishëm për kapërcimin e krizës, në gjykimin e zotit Zusi dhe nëse aktorët politikë ulen së bashku në tryezën e bashkëpunimit Shqipëria mund të dalë e fituar nga kjo krizë.

Zusi: Siç u krijua ministria e Posaçme për të menaxhuar rindërtimin, mendoj se kjo është një krizë ekonomike shumë më e thellë se sa ajo e tërmetit. Tërmeti gjithsesi krijoi dëme, ishe i lokalizuar, por këtu bëhet fjalë që disa qindra mijëra njerëz do kenë probleme me varfërinë. Disa të tjerë mund të pësojnë trauma të karakterit ekonomit, të cilat pasohen me trauma të karakterit social. Ne e dimë që shumë familje kanë probleme për shkak të problemeve ekonomike. Në këtë kontekst nuk mendoj se kjo duhet lënë e lirë për t'u zgjidhur nga mekanizmat e tregut, qeveria ka një rol të rëndësishëm. Kjo krizë nga kërcënim mund të kthehet në oportunitet shumë të mirë nëse arrijmë ta menaxhojmë mirë, nëse aktorët bëhen bashkë dhe ulen në tryezë mund të dalim të fituar nga kjo krizë.

Në përfundim Zusi u shpreh se dy janë shtyllat në të cilat duhet të mbështetet një platformë ekonomike për të kapërcyer këtë lloj krize; platforma e parë është masat emergjente për të zgjidhur problemin e njerëzve kryesisht të atyre në nevojë dhe shtylla e dytë  është ajo e politikave zhvilluese.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku