“Konflikti i interesit”, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nis hetim disiplinor për 3 anëtarë të KLP-së

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetim disiplinor për 3 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë pas rekomandimit të bërë nga "ONM" për konflikt interesi.

Bëhet fjalë për Alfred Ballën, Nurihan Seitin si dhe Tartar Bazajn.

Ka qenë vetë KLP që ka njoftuar për nisjen e procedimit për 3 anëtarët e saj.

Në njoftim thuhet se Balla, Seiti dhe Bazaj gjatë mbledhjes i kërkuan kryetarit Gent Ibrahimi që t’i drejtohej me shkresë Kuvendit për rastin e tyre.

Njoftimi i KLP

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 20.10.2021, mbledhjen plenare të radhës. Seanca u ndoq edhe nga përfaqësues të programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Pasi u njoh me relacionet e përgatitura nga Komisioni Disiplinor dhe me propozimin për caktimin e datës së seancës dëgjimore në lidhje me procedimin disiplinor ndaj magjistratëve {…} dhe {…}, Këshilli vendosi caktimin e datës 03.11.2021 ora 11.00, për zhvillimin e seancës dëgjimore, në lidhje me procedimin disiplinor nr.1289/2, datë 07.10.2021, filluar me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndaj magjistratit {…}. Gjithashtu, Këshilli vendosi caktimin e datës 13.12.2021 ora 11.00, për zhvillimin e seancës dëgjimore në lidhje me procedimin disiplinor  nr.1292/4, datë 12.10.2021, filluar me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndaj magjistratit {…}

Këshilli vendosi caktimin e përkohshëm në pozicionin e Prokurores të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Korçë, znj. Irena Çunoti, për një periudhë tremujore, nga data 20.10.2021 – 19.01.2022.

Në përfundim të seancës plenare, në pjesën kushtuar pyetjeve dhe diskutimeve jashtë rendit të ditës, anëtarët z. Alfred Balla, znj. Nurihan Seiti dhe z.Tartar Bazaj, informuan Këshillin për nisjen e hetimit disiplinor ndaj tyre, nga ana e Inspektorit të  Lartë të Drejtësisë (ILD). Ata i kërkuan Kryetarit, z. Gent Ibrahimi, t’i drejtohet Kuvendit me një shkresë, ku të vihet në dukje vështirësia që paraqet kuadri ligjor në fushën e përgjegjësisë disiplinore të anëtarëve të Këshillave, të cilët, nga njëra anë gjykojnë dhe vendosin mbi propozimet e ILD-së, për masat disiplinore ndaj magjistratëve, ndërsa, nga ana tjetër, mund të jenë vetë, subjekte të procedimit disiplinor nga ana e ILD-së.