Rama në 30-vjetorin e PNUD: I pranishëm në momentet më kritike për vendin, milingonë që bën punën e një elefanti
Në ceremoninë e 30-vjetorit të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Shqipëri kryeministri Rama ka numëruar disa nga kontributet e programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Shqipëri. Ai ka shprehur mirënjohjen për faktin se ky program ka qenë i pranishëm në momentet më kritike të procesit të transformimit të vendit. Edi Rama gjithashtu vlerësoi dhe faktin e bashkëpunimit me një organizatë e cila më shumë se paratë ka dijen dhe transferimin e dijeve.
"Në këto 30 vite janë bërë shumë gjëra nga ky bashkëpunim. Ajo që bën përshtypje është fakti se programi ka qenë i pranishëm në të gjitha momentet më kritike të këtij procesi të transformimit të vendit nga një diktaturë totalisht e mbyllur në një demokraci në ndërtim e sipër. Programi ka qenë i pranishëm me hapjen e shkollës së parë publike të administratës, apo edhe në momentin e trazirave të mëdha të 1997. Falë programit kemi pasur mundësinë të ndërveprojmë me një organizatë e cila më shumë se sa paratë ka si vlerë dijen dhe aftësinë për të transferuar dijen në funksion të organizimit.
Një shoqëri e tërë është dashur të hyjë në kurs të vërtetë kundër analfabetizmit, dhe këtu besoj që programi ka një dorë që është e paharrueshme. Ka qenë i pranishëm në periudhën e kthesës historike të Tiranës, ku pas një 11-vjeçari kaosi dhe deformimi urban të paimagjinushëm, dhe i mungesës së ligjit e rregullit, u futëm në një rrugë të re duke u përpjekur të rikthejmë qytetin te njerëzit, t'u japim sensin e hapësirës publike si një hapësirë e ndërmjetme mes pronave private të njerëzve. Kemi pasur mundësinë të punojmë me një organizatë që më shumë se paratë ka dijen dhe transferimin e dijeve. Na është dashur që këto gjëra t'i mësojmë si fëmijët abetaren, rast pas rasti” , tha Rama.
Në fund Rama shkëmbeu edhe batuta me të pranishmit, duke e krahasuar programin me një milingonë që punon ngadalë dhe sipas tij, bën punë më të mëdha se një elefant.
"Nuk kam pasur asnjë histori dashurie me PNUD. Besoj që në këtë rast nuk është pa vend që të numërohen gjërat e bëra. Përmenda vetëm pak nga shumë gjëra të bëra. Kur po kaloja në listën e punëve të bëra pata ndjesinë e punëve të një milingone. Programi është një milingonë në krahasim me elefantët e mëdhenj. Por një milingonë që arrin të bëjë të mundur një sasi pune të imagjinueshme për përmasat që ka. Nuk e di çfarë do kishte bërë po të kishte pasur mundësinë që kanë elefantët. Milingona nuk ka asnjë rrugë tjetër veçse të kompensojë atë që nuk ia ka dhënë si mundësi natyra. Në fund të ditës, është fakt që volumi i punës së kryer dhe sasitë e ngarkesave në raport me njësinë që përfaqëson milingona janë më të mëdha se ato të trupave më të mëdha,” shtoi Rama.
