Raporti i KE-së për Shqipërinë, Lami: Një qeveri serioze duhet të reagonte ndaj elementeve negative të evidentuara

Sot, (20 tetor 2021), para gazetarëve, Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca i dorëzoi kryeministrit Rama një kopje të progres-raportit që Rama e  quajti një dokument udhërrëfyes" ndërsa ”të tjerat janë interference në proces me natyrë politike krejtësisht të mirëkuptueshme” . Rama e vlerësoi KE-në si një partner i drejtë e i paanshëm, rigoroz që e vlerëson progresin duke u bazuar në hulumtimin e fakteve në terren.

Roland Lami, profesor i Shkencave Politike në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj e cilëson këtë raport si një mbështetje të performancës së qeverisë me qëllim që të inkurajojë vendet dhe t'i japë një sinjal justifikues Këshillit të Evropës  për të vendosur pro zhvillimit.

Lami: Për sa i përket elementeve që ka progres-raporti në fakt nëse do t'i referohem çfarë shkruhet aty është një mbështetje e preformancës së qeverisë. Nuk është adresuar specifikisht që t'i bëjë mirë qeverisë, por është skenar pozitiv që ndjek progres-raporti që t'i inkurajojë vendet edhe t'i japë një sinjal justifikues Këshillit të Evropës që të vendosë pro zhvillimit, sepse vetë BE është futur në një situatë jo shumë të qartë.

Ambasadori i BE-së nuk komentoi çështjen e patronazhistëve, ndërsa Rama u shpreh se patronazhistët nuk ishin shkelje e ligjit,  madje nuk u cenua as shkelja e të dhënave personale. Ndërsa në gjykimin e zotit Lami, një qeveri serioze do të evidentonte anët negative të raportit. Sipas tij, Rama duhet të reagonte në lidhje me çështjen sensitive të patronazhistëve dhe jo ta kthente në një element që duhet zhvilluar më tej duke bërë një lloj injorimi ndaj cenimit të të dhënave personale të qytetarëve.

Lami: Në krahun tjetër serioziteti i një qeverie do të ishte ai që të mos ndalej vetëm në propagandën e elementeve pozitivë që përmend raporti, por edhe të mbajë shënimet përkatëse për elementët negativë që shfaq raporti siç është liria e medies ose patronazhistët që prekën privatësinë e secilit prej nesh. Kjo nuk është aspak serioze dhe e bën qeveri të papërgjegjshme në raport me çfarë shansi jep raporti i BE mbi mundësinë për t'u anëtarësuar. Kjo është një lojë e ngushtë e politikës lokale shqiptare që vetëm ne dimë ta bëjmë në këtë nivel. Po të flisnim për një qeveri serioze, sigurisht do të evidentonte anët pozitive dhe do të mbante synimet për elementë problematikë që shfaqen në raport dhe do të reagonte. Përkundrazi elementin e patronazishtëve që prek e kthejnë në një element që duhet zhvilluar dhe më tej, duke bërë dhe një lloj karshillëku dhe injorimi.

Intervistoi Besmira Pelushaj, pwrgatiti pwr online Xhuljana Zhuleku