"Nga zyrat, vilat e makinat…", Jozefina Topalli mendon si Rama: Deklaratat e Bashës për "oligarkët", gjoba
Pjesa më e nxehtë e debatit dje në Kuvend ishte kur Basha përmendi me emër disa ‘oligarkë’ të Ramës dhe të tjerë të cilët merren me trafik kokaine. Kreu i demokratëve tha se emrat e këtyre të fundit i dinë agjencitë e huaja antikrim dhe ai vetë.
Por ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, në një intervistë për Ora News me gazetarin Arnold Kariqi i sheh të pasinqerta dhe në konflikt interesi deklaratat e Bashës.
Topalli: Filloi të përmendte dy emra që ai i quan oligarkë. Kujton se asnjë njeri në Shqipëri nuk e di se zyrat e familjes së tij janë në hotelin e njërit prej tyre. Dy vilat ku bën pushimet janë pronë dhe të dhuruara nga një emër tjetër oligarku.Makinat e tij janë të një oligarku tjetër.Nuk po vazhdoj me radhë.
Topalli njësoj si Rama dje në Kuvend thotë se Basha vuri gjoba.
Topalli: Edi Rama tha mos u vë gjoba. Kam bindjen se gjobat kanë ekzistuar vazhdimisht duke shitur çdo kauzë të demokratëve të cilët besonin sinqerisht se ai po ngrinte çështje në interes të PD përgjatë këtyre 8 vite të opozitarizmit. Ai shiti çdo kauzë të tyre, të Rrugës së Kombit, të Teatrit, të Astirit, të zgjedhjeve të lira etj.

