Mbetjet bëjnë “pis” turizmin, Kumbaro: Menaxhimi i tyre, sfidë në mandatin e tretë

Dështimi në menaxhimin e mbetjeve nga bashkitë bregdetare që ndër vite ka shoqëruar sezonin turistik në Shqipëri ka vënë në lëvizje ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit. Pas një takimi për këto problematika me drejtuesit vendor në Shkodër, ministrja Mirela Kumbaro kërkoi angazhim që ky fenomen të mos penalizojë edhe sezonin turistik 2022.

Pastrimi dhe menaxhimi i mbetjeve është një prej problematikave që ka shoqëruar sezonin turistik ndër vite në Shqipëri, pasi bashkitë bregdetare kanë dështuar në plotësimin e këtij detyrimi.

Masat dhe investimet që duhen bërë që ky fenomen mos shoqërojnë edhe verën 2022, ishin në qendër të një takimi që ministrja e Turizmit dhe Mjedisit pati me drejtuesit vendorë në Shkodër.

"Nëse nuk i fillojmë menaxhimet të të gjitha aspekteve që tani, sigurisht që nuk do kemi sukses," tha Kumbaro.

Kumbaro e pranon se në këto 2 dekadat e fundit, beteja me pastrimin e territorit është humbur, pasi nuk mund të bëhet me aksione, dhe në këtë pikë është e prerë kur kërkon angazhim maksimal prej të gjithëve.

"Menaxhimi i mbetjeve që nuk është thjesht çështje aksioni apo vetëm ditë të caktuara vullnetarizmi por në radhë të parë është sistem," shtoi Kumbaro.

Lidhur me problematikën që kanë pasur bashkitë e veriut rreth çmimit të depozitimit të mbetjeve urbane në landfildin Bushat, apo mungesën e një vend-depozitimi për inertet, Kumbaro e ndan në 2 qëndrime.

"Brenda javës që vjen ministria e Mjedisit do t'i bëjë të ditur bashkisë gjithë praktikën e nevojshme dhe jemi në rrugën e duhur për ta vënë dhe këtë në punë," përfundoi Kumbaro.

Ato bashki që nuk do të jenë në lartësinë e kërkuar për menaxhimin e territorit dhe trajtimin e mbetjeve, qeveria i ka kërcënuar se nuk do të përfitojnë asnjë grant./OraNews/