Çështja 'Beccheti'/ Hitaj: Publiku kërkon transparencë por pa cenuar hetimet
Ditën e djeshme Kuvendi miratoi ngritjen e Komisioneve Hetimore për inceneratorët dhe zgjedhjet e 25 Prillit por rrëzoi kërkesën kërkesën e opozitës për të hetuar mbi ligjshmërinë e veprimeve shtetërore në raport me kompaninë Beketi, e cila fitoi një dëmshpërblim afro 120 milionë euro nga Arbitrazhi Ndërkombëtar.
Në lidhje me këtë gazetari Arbër Hitaj, në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj është shprehur se është një çështje delikate, teksa shton se të dy partitë në këtë rast kanë të drejtë.
Më tej Hitaj thotë se publiku kërkon më tepër transparencë në lidhje me çështjen Beccheti, por pa cenuar hetimet.
Arbër Hitaj: Është një çështje që po diskutohet gjerësisht këto ditë. Nga ajo që pashë unë nuk ka ndonjë informacion të zgjeruar në internet apo në Gjykatën e arbitrazhit. Për mendimin tim në lidhje me Komisionin Hetimor të dyja palët kanë të drejtë. Është një çështje delikate. Është hera e parë që në parlament ngrihet një komision hetimor për të zbardhur një çështje të tillë. Unë them se mund të ishte krijuar një Komision ose palët mund të kishin rënë dakord për ta shtyrë diskutimin për ta hapur në një fazë të dytë. Është shumë e vështirë që çështjet të kthehen. Disa llogari të shtetit shqiptar jashtë vendit janë bllokuar. Publiku kërkon transparencë pa cenuar hetimet në lidhje me çështjen. Është një gjë e mirë që opozita është në parlament.
Gazetari shton se nëse ka hallka shtetërore që janë përfshirë në këtë çështje duhet të përballen me pasoja.
Arbër Hitaj: Duhet transparencë dhe nëse ka pasur hallka shtetërore që kanë çeduar duhet të vuajnë dhe ata të kenë penalitete ndaj tyre. Unë nuk e di se nga do hiqen këto para dhe nuk dihet nëse ka filluar ekzekutimi i këtyre parave apo jo, prandaj duhet një lloj sqarimi në lidhje me këtë çështje. Rama ka thënë disa element por janë të shkëputura, e jo të mbledhura.
Përgatiti për online Anila Kolgjini.
