Amnisti për armët pa leje, Komisioni i Sigurisë nismë për parandalimin e krimeve

Në 2021 u shënua rritje e numrit të arrestimeve për armë pa leje. Parlamenti po shqyrton mundësinë e një amnistie për armëmbajtjen pa leje për shkak të rritjes së kriminalitetit. Deputeti Xhemal Qefalia, i cili njëherësh është sekretar në Komisionin e Sigurisë, thotë së ngjarjet kriminale do të kenë një rënie  nëse qytetarët që kanë armë do t'i dorëzojnë ato kundrejt amnistisë.

Komisioni parlamentar i sigurisë po planifikon një tjetër amnisti për dorëzimin e armëve pa leje për shkak të rritjes së numrit të krimeve në familje apo vrasjeve mes grupeve kriminale.

Në shumë prej këtyre ngjarjeve rezulton se janë përdorur armë të dala nga depot në vitin 1997.

Në 8 mujorin e parë të vitit 2021, janë arrestuar rreth 800 persona për armëmbajtje pa leje, 242 më shumë se një vit më parë.

Deputeti Xhemal Qefalia, sekretar i komisionit të sigurisë thotë se amnistia mund të ndihmojë parandalimin e ngjarjeve kriminale.

"Është një kërkesë e nevojshme, madje duhet thënë shumë e domosdoshme e cila duhet të kalojë patjetër në miratim dhe në Kuvendin e Shqipërisë me qëllim që ende pasojat e '97, ata individë të cilët disponojnë armatime nëpër shtëpi duhet të bëhet dhe një herë apel dhe thirrje për t'i dorëzuar aton. Në një farë mënyre bëhet edhe një farë ulje e kriminalitetit e cila për hir të së vërtetës ka pësuar një rritje kohët e fundit," tha Qefalia.

Sipas Qefalisë policia ka një rol kyç në ngjarje pasi detyra e saj është parandalimi.

"Policia e shtetit e ka në detyrat e saj të përcaktuara për të ndjekur dhe për ta zbuluar krimin, pra për ta parandaluar më saktë jo për të zbuluar pasojën që ndodh pas vrasjeve apo krimeve që kryhen me armë," shtoi Qefalia.

Amnistia e fundit ishte në vitin 2017 ku në total u dorëzuan rreth 1604 armë të llojeve të ndryshme.

Në tre muajt e fundit në drejtorinë vendore të policisë janë sekuestruar përkatësisht 52 armë pa leje në Durrës, 46 në Shkodër dhe 32 në Tiranë./OraNews/