Basha me Amerikanët, Nishani: Kulmi i hipokrizisë, kreu i PD grabitësi më i shëmtuar i zgjedhjeve brenda partisë

Pas takimit me delegacionin e Senatit Amerikan në selinë blu, Basha u tha gazetarëve se për çfarë bisedoi me ta.

Ai u shpreh se çështjet në  fokus ishin dy: situata politike në vend dhe zhvillimet në Kosovë, duke thënë se Rama është i vetmi përgjegjës që vendi është jashtë dyerve të Evropës.

"Njëra nga çështjet ishte me demokracinë shqiptare, udhëkryqi që ndodhet aktualisht vendi pas masakrës së 25 prillit dhe rolin e Partisë Demokratike dhe të opozitës në Parlament, për të rikthyer Shqipërinë në shinat e demokracisë, legjitimitetit dhe sundimit të ligjit," u shpreh Basha.

Bujar Nishani ka reaguar me anë të një postimi në Facebook duke i quajtur deklaratët e kreut të opozitës si "kulmi i hipokrizisë dhe fyese për demokracinë amerikane dhe lirinë si dimension."

Sipas Nishanit, Basha është manipulatori dhe grabitësi më i shëmtuar i zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike.

Postimi i plotë:

"Deklarata e Lulzim Bashës pas takimit me përfaqësues nga Senati SHBA, ishte kulmi i hipokrizisë dhe fyese për demokracinë amerikane dhe lirinë si dimension.

Eshtë hipokrizi ekstreme, kur Lulzim Basha ju tregon shqiptarëve se ka denoncuar manipulimin dhe vjedhjen e zgjedhjeve prej Edi Ramës, ndërkohë L. Basha është manipulatori dhe grabitësi më i shëmtuar i zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike.

Kur L. Basha ju flet për standartet demokratike përfaqësuesve nga SHBA, ai fyen themelin e lirisë dhe dimensionin e demokracisë amerikane.

Në SHBA, asnjë nuk manipulon dhe grabit votat brenda partisë së tij, askush nuk asgjeson votën e lirë dhe të drejtën e kandidimit në partinë e tij, në asnjë rast nuk asgjesohet gara, për asnjë arsye vendimet nuk merren ilegalisht dhe në dhunim të institucioneve, siç vepron L. Basha sistematikisht brenda partisë së tij."