Sekuestrohet pasuria e ish kryetarit të Kushtetuese, Dedja dhe dy ish-gjyqtarëve të tjerë

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendos sekuestro pasurive të ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja,  Fatos Lulo, ish gjyqtar në  Gjykatën Kushtetuese dhe Shkëlzen Selimi ish – gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Pasurite e sekuestruara 

Bëhet fjalë për tre vendime të cilat janë marrë nga kjo gjykatë, konkretisht më 20 dhe 23 prill 2021. 

Ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja i është sekuestruar  një apartament me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë.

Ish gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo i është sekuestruar një njësi dyqan 172 metra katrorë në rrugën e Durrësit, Tiranë.

Ndërsa ish gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi i janë sekuestruar 2 pika karburante një me vendodhje Shetitore Lungomare dhe një në Rrugën Transballkanike, gjithashtu dhe për një sipërfaqe toke truall prej 2400 metra katrorë.

Hetimet prej 7 majit 2020

Në një njoftim e sotëm publik (27 prill 2021)  prokuroria njoftoi se në datën 7 maj 2020 ka nisur procedim penal ndaj tre gjyqtarëve për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuar nga neni 257/a/2 të Kodit Penal.

SPAK bën me dije se personat nën hetim, Fatos Lulo (ish – gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese), Bashkim Dedja (ish – Kryetar në Gjykatën Kushtetuese) dhe Shkëlzen Selimi (ish – gjyqtar në Gjykatën e Lartë), janë vlerësuar si subjekte të ligjit antimafia të vitit 2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ata janë dhe subjekte të këtij ligji.

"Nga hetimi penal i kryer, rezultuan të dhëna që këta subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesat përkatëse për sekuestrimin e pasurive në zotërim/pronësi të këtyre tre subjekteve"

Vendimet e Gjykates

I. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.7, datë 20.4.2021, vendosi:

• Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
• Vendosjen e sekuestros mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Fatos Lulo, me sipërfaqe 172 m2, e llojit Njësi/Dyqan, e ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë.

II. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.8, datë 20.4.2021, vendosi:

• Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
• Vendosjen e sekuestros mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Bashkim Dedja, e llojit apartament, me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë.

III. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.10, datë 23.4.2021:

• Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur, masën e sekuestros mbi pasuritë në pronësi/zotërim të shtetasit Shkëlzen Selimi, si vijon:

1. 1/2 (50%) e pasurisë e llojit truall 432 m2 dhe objekt 132.25 m2 Karburant/Pikë Tregëtimi, me vendodhje Shetitore Lungomare, Vlorë, në pronësi të shtetasit Shkëlzen Selimi

2. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 2400 m2 (pasuri e përbërë nga bashkim pasurish), e ndodhur Jonufër, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi.

3. 55% e pasurisë e llojit truall, me sipërfaqe 764 m2 dhe godinë me sipërfaqe 57 m2, Karburant, e ndodhur në Rrugën Transballkanike, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi

Reagon ambasadorja

Ambasadorja amerikane në Tiranë Juri Kim reagoi për hetimet e kryera nga SPAK duke theksuar se Reforma në Drejtësi nuk është e lehtë ose e përsosur - por po ecën përpara, hap pas hapi.