Edmond Tupja: Të shkruarit më shkëput nga mjerimi i realitetit të sotëm në Shqipëri. Më pas më merr malli e kthehem ...

"Kamila, si flutur"  është romani i autores franceze Sophie Daull, që ka ardhur në Shqipëri i përkthyer  nga profesor  Edmond Tupja.

Profesor Tupja flet për përfshirjen e tij si përkthyes në historinë e romanit "Kamila, si flutur", duke pohuar se të shkruarit e shkëput atë nga mjerimi i realitetit të sotëm në Shqipëri. Megjitatë ai thekson se e merr malli për realitetin kur përfshihet në historinë e librit, sepse ka bashkëshorten, djalin, miqtë e njerëzit e tij të dashur.  

"Unë e adhuroj të shkruarit, ndër të tjera të ndihmon të shkëputesh nga mjerimin i realitetit të sotëm në Shqipëri. E kam terapi të shkruarin. Në kohën që shkruaj, shkëputem nga realiteti. Pastaj më merr malli për realitetin, sepse kam ime shoqe, im bir,  vëllezërit e mi, prindërit nuk i kam më, miqtë e mi. Unë e dua jetën. Besoj se nuk do më shkojë ndonjëherë mendja të vras veten" u shpreh Edmond Tupja në studion e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në RTV Ora.

Profesori tha se përkthyesit gjithmonë përfshihen në historitë e librave që përkthejnë dhe se vetë ai e ka të vështirë të shkëputet nga historia.

"Përkthyesi gjithmonë përfshihet. Gjithmonë ne përfshihemi, ndonjëherë dhe pa vetëdije. Unë nuk e frenoj dot veten, që mos përfshihem. Jam sentimentalist. Jam i edukuar me ndjenjat. Unë nuk i them tjetrit të kuptova kur bëjmë bisedë serioze, i them të ndjej, sepse është përjetimi është ndjesia," tha Edmond Tupja.

Edmond Tupja tregon se romani ka të bëjë me përjetimet e një nëne, e cila humbet të bijën nga gripi ditën e Krishlindjeve. Si për rastësi, Tupja thotë se filloi ta përkthente librin në periudhën e fillimit të pandemisë.

"Ky libër është i shkruar për mua", u shpreh Tupja , duke thënë se dhe emri i autores është i njëjtë me emrin e vajzës së profesorit.  

"I vdiq e bija nga gripi ditën e Krishtlindjeve. Padrejtësia më e madhe që ka bërë, Perëndia apo Natyra është që prindi të varrosë fëmijën. Kjo është padrejtësia më e tmerrshme që mund të përjetosh.

Këtë dramë e përktheva kur filloi pandemia. Sophie quhet autorja e librit, Sofi quhet edhe mamaja ime dhe botuesja e librit ka një vajzë që quhet Sofi. Ky libër ishte bërë për mua. Në trekëndëshin jo të Bermudës, por në trekëndëshin e dhimbjes", tha profesori.