Bylykbashi flet për "pazarin" me vettingun dhe territorialen: Reformat s'mund të jenë bukë dhe cirk për të qetësuar shpirtra të trazuar
Dy ditë më parë ish-bashkëkryetari demokrat i reformës zgjedhore Oerd Bylykbashi përmes një postimi në faqen e tij në facebook foli për një pazar që kryeministri Edi Rama po i ofron Partisë Demokratike për organet e Vettingut.
Sipas tij, Edi Rama i ka ofruar Lulzim Bashës shtimin e disa bashkive në hartën territoriale në këmbim të zgjatjes së afateve të dy organeve të vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisoneri Publik.
I ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini, Bylykbashi insiston se reformat nuk janë mall shkëmbimi.
Sipas tij, prioritet politik i PD-së duhet të jetë interesi publik dhe kjo fillon me sistemin zgjedhor
Bylykbashi: Reformat nuk janë mall shkëmbimi sepse unë besoj që reformat nuk mund të jenë bukë dhe cirk për të qetësuar shpirtra të trazuar. Reformat bëhen për atë që kërkohet të bëhet reforma, jo për të humbur vëmendjen. Vettingu nuk është çështje reforme, është çështje dështimi reforme. Po a është i vetmi? Jo nuk është i vetmi. Në qëndrimin tim unë flas për dështimet e suksesshme të reformës në drejtësi sepse nuk është i vetmi. Ne kemi probleme me Gjykatën Kushtetuese, me Gjykatën e Lartë.
Gjykatat po mbeten pa gjyqtarë dhe prokurorë dhe ky është qëllimi. Qytetarët do kenë më pak akses te drejtësia. Prioriteti politik i PD-së duhet të jetë interesi publik dhe kjo fillon me sistemin zgjedhor. Sistemi zgjedhor që kemi ne është shumë toksik për demokracinë dhe duhet ndërruar sepse është bërë në mënyrë të njëanshme dhe është bërë keq. Ne duhet të ndryshojmë ndarjen terrioriale dhe të bëjmë reformën zgjedhore, jo të Kodit Zgjedhor por çfarë rregullash duhet t'i vëmë shtetit që mos ndërhyjë në zgjedhje.
Deputeti demokrat thotë se është jetike që qytetarëve tu kthehet e drejta e votës pasi vetëm kështu do të mund të jenë në gjendje të spastrojnë të gjithë politikën.
Bylykbashi: Shqiptarët me votë janë në gjendje të spastrojnë gjithë politikën. Bllokoji të drejtën e votës dhe nuk kanë mundësi të spastrojnë politikën. Vottingu, pra votimi është ai që do bëjë vettingun e politikës në Shqipëri sepse qytetarët nuk janë budallenj, po vuajnë për bukën e gojës. Qytetarët e kanë lakun te fyti. Në këtë hall që kanë dhe një kryeministër që tallet përditë me ta.

