"Mos taksoni urinë!" Protestuesit i lënë kohë qeverisë deri të hënën që të reflektojë

Pasditja me shi nuk i ndali këta qytetarë të ngrinin zërin para Kryeministrisë për shtrenjtimin e jetesës.

Protesta e të hënës ishte e dyta kundër rritjes së çmimeve të produkteve të shportës dhe atyre të karburanteve.

Çmimet e larta rëndojnë njësoj xhepat, ndaj në protestë, krahas qytetarëve të thjeshtë ishin të pranishëm edhe personazhe publike.

"Nëse prek të gjithë njerëzit rreth meje do të vijë një moment që do të më prekë dhe mua."

Për disa ky reagim shkon përtej çmimeve.

"Kemi një brez të ri që i janë vrarë shpresat dhe ëndrrat."

Dy ishin kërkesat kryesore që ata artikuluan, ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë dhe ulja e çmimit të karburanteve.

"Kemi produktet e shportës që taksohen më shumë se në çdo vend të rajonit."

"Mesa duket kryeministri jonë e paska një shkop magjik kur i duhet të pasurojë miqtë e tij, le ta gjejë një shkop magjik dhe për ne, për njerëzit që shkojnë nga rroga në rrogë, nga pensioni në pension, nga ndihma ekonomike në ndihmë ekonomikë."

"Të ulë taksat dhe çmimet ose të ulë kokën dhe të largohet. Njerëzit po punojnë dhe nuk ushqehen."

Për këto kërkesa ata i lanë qeverisë kohë deri të hënën, ditë kur do të mbahet edhe protesta e radhës para zyrës së kreut të qeverisë Edi Rama.