Ekskluzive për Ora News/ Nobelisti italian Giorgio Parisi: Më pëlqen vallja greke, s'kam patur fatin të vizitoj Shqipërinë
I pëlqen të kërcejë vallen greke, thotë se nuk ka pasur fatin të vizitojë Shqipërinë, luan shah por ka dhe aftësinë të shpjegojë në mënyrë modeste e të thjeshtë me një copë letër të zhubrosur punën e tij shumëvjeçare që e çoi të vlerësohet me çmimin Nobel 2021, në Fizikë.
Ky është shkencëtari Giorgio Parisi, 73 vjeç, fituesi i çmimit Nobel në Fizikë për vitin 2021, i intervistuar eksluzivisht nga gazetarja e RTV Ora e Ora News në Romë, Alba Kepi.
Giorgio Parisi është italiani i 21-të që renditet në listën e Nobelistëve e i gjashti fizikant italian i vlerësuar me këtë çmim të rëndësishëm "Nobel për Fizikën".
Ndër motivet e Akademisë suedeze për shkencën citohet vlerësimi për "kontributin i tij për kuptimin e sistemeve fizike komplekse."
Profesor i Nderit në Universitetin e La Sapienza në Romë, anëtar i National Academy of Sciences në SHBA, zëvendëspresident i Akademisë Lincei, institutit shkencor më antik i Europës, ka studiuar grimcat elementare, fizikën e mekanikën statistikore, super kompjuterat e sistemet komplekese.
Intervista e plotë
Alba Kepi- Profesor në një botë të goditur nga pandemia globale çfarë po ndodh me shkencën? Çfarë mësoi shkenca nga kjo pandemi e çfarë ka për t'u qortuar?
Nobelisti Giorgio Parisi: Pandemia globale i mësoi shkencës se ka gjëra që duhen studiuar paraprakisht dhe duhet bërë një përpjekje shumë e fortë shkencore për të sistemuar gjërat në këtë drejtim. E problemi është nëse kjo përpjekje do të financohet në mënyrën e duhur nga qeveritë.
Alba Kepi- Ju rrëfyet se jeni i apasionuar pas valles greke, pra ju pëlqen ta kërceni. Jeni i apasionuar dhe pas kulturës dhe muzikës ballkanike?
Nobelisti Giorgio Parisi: E njoh shumë pak, vërtet pak kulturën e muzikën ballkanike. Për fat të keq nuk kam qenë asnjëherë në Shqipëri e në vendet e tjera të zonës ballkanike. Por di se ka lidhje të forta mes Greqisë e vendeve kufitare me të si Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria.
Pasioni për vallet greke lindi rastësisht pasi dikush më tha që në qendrën social-kulturore "Casale di Poderosa" merreshin leksione për këto valle. Vallet greke i gjej mjaft shlodhëse e argëtuese. Janë valle grupi, ndjehesh i bashkuar me një grup duke kërcyer. Duke lëvizur nën tingujt e muzikës vlerëson e shijon më shumë muzikën.
Alba Kepi: Për qytetarët e thjeshtë, për publikun që po ju dëgjon, e që nuk ka e njeh aq mirë shkencën, ky vlerësim i meritueshëm i juaji, çfarë mund të përmirësoj në të tashmen e të ardhmen e humanizmit?
Nobelisti Giorgio Parisi: Është e vështirë ta shpjegosh e unë shpresoj shumë të sjell këtë rezultat në të mirë të humanizmit. Por për shembull është përdorur shumë në inteligjencën artificiale e në shumë gjëra të tjera. Por le të shohim e të presim.
Duke marrë një copë letër të thjeshtë, zhubrosur e bërë topth, nobelisti italian u përpoq të shpjegojë punën e tij shumëvjeçare që e çoi në vlerësim më të madh që merr puna e një shkencëtari.
Nobelisti Giorgio Parisi: Si varet diametri i këtij topthi të zhubrosur letre nga përmasat e letrës origjinale që u përdor? Një letër tjetër me madhësi tjetër , jep një tjetër madhësi topthi të zhubrosur. E ky është një problem i zgjidhshëm nga fizika e një problem që dikur askush nuk mendonte se kishte të bënte me fizikën. E këtë studim e eksperimentuan më pas studiues të tjerë që kuptuan se sa varej rrezja e këtij topthi nga madhësia e fletës që u përdor. Llogaritja teorike e këtij eksperimenti është një problem akoma i hapur i fizikës. Fizika shpesh studion gjërat që janë infinitisht të imëta, studion çfarë ndodh infinitisht në të gjitha këto grimca, e studion çfarë ndodh infinitisht në kompleksin e tyre. Puna që unë bëra ishte se mora në zgjidhje një problem fizik, hartova ekuacione të reja me teori të re, e një seri ekuacionesh matematikore që përshkruajnë këtë sistem e vërtetojnë se është një sistem kompleks. Ky studim hapi një dritare, ndezi një dritë për instrumentet matematikore. U deshën 25 vite që matematicienët ekselentë të demonstronin se rezultatet që kisha arritur unë ishin korrekte e u deshën 10 vite të tjera për të arritur një demonstrim më të thjeshtëzuar.
