"Do të pres në qafë!" Rrihet brutalisht gruaja në Fushë Krujë. Fëmijët braktisin shkollën nga frika e dhunuesit

Toleranca e gjyqtarëve dhe e policisë ndaj dhunës në mjaft raste ka përfunduar në ngjarje tragjike. Një rast i tillë është shënuar dhe në Fushë Krujë, ku edhe pas denoncimit, policia nuk ka ndërhyrë. Vetëm pas apelit në televizion uniformat blu kanë marrë masa, duke i dhënë siguri gruas 40-vjeçare dhe dy vajzave të saj.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në datën 30 gusht 2021 në fshatin Miliska, Bashkia Krujë. Shtetasi me iniciale Z.I për motive të dobëta ka goditur me shkop fqinjen e tij, shtetasen Lule Uka, duke e dëmtuar në kurriz, duar dhe qafë. 

Ngjarja ka ndodhur në prani të dy vajzave të vogla të familjes Uka, të cilat kanë parë dhunën që është ushtruar ndaj nënës së tyre.

Edhe pse 40-vjeçarja ka bërë një denoncim në Stacionin e Policisë Fushë Krujë ajo ende vijon të ndihet e kërcënuar nga shtetasi me iniciale Z.I.

"Isha duke kalu rrugës, shau burrin tim njëherë me fjalët më të ndryra që i erdhën. Kur më pa mua pastaj tha edhe atë qelbësirën e zhgërryej se te kjo rrugë nuk kaloni më. Unë i thashë këtu kam për të kaluar prapë se është rrugë e përgjithshme. Mori direkt shkopin dhe më goditi në rrugë, më kapi për flokësh. S'kam parë polici në fshat. Ka kërcënuar, do t'u vras, do t'u pres, do ti pres në qafë fëmijët. Kemi frikë, nuk shkojmë dot me atë furgon."

Skena e dhunës ka lënë gjurmë te vajzat nëntë dhe shtatë vjeçare, të cilat kanë më shumë se një javë që nuk shkojnë në shkollë.

Kjo pasi personi që ka dhunuar nënën e tyre ështe njëkohësisht edhe drejtuesi i mjetit që bën transportin për në shkollë të fëmijëve.

Vogëlushet ndihen nën stres nëse do të udhëtojnë me shtetasin me iniciale Z.I, ndërkohë që dhe oraret e natës janë të vështira për dy vajzat. 

"Jam 9 vjeç, në klasë të katërt. Nuk shkoj në shkollë, nuk shkoj dot me atë se kam frikë, ka rrahur dhe mamin tim, e kam parë."

 

"Jam në klasë të parë, nuk shkoj në shkollë. Kam frikë. Dua të shkoj në shkollë."

Gazetarja e Ora News u interesua në Stacionin e Policisë Fushë Krujë, aty ku është depozituar edhe denoncimi.

Sipas oficerit të policisë gjyqësore, ky rast i është përcjellë Prokurorisë, por deri në momentin e mbylljes së hetimeve familja Uka ndihet e kërcënuar, për më teper edhe vogëlushet ndihen te pambrojtura.

Në këto kushte shefi i Fushë Krujës thirri në takim urgjent inspektorin e zonës dhe punonjëset e shërbimit social për të asistuar femijët. 

Shefi i policisë: Fëmijët do të shkojnë në shkollë, ti do të jetosh e qetë.

Orët e ankthit me sa duket morën fund për familjen Uka. Deri në momentin që kjo çështje të shkojë një gjykatë, nëna e dy vajzave mori sigurinë nga uniformat blu të Krujës që të vazhdojë jetën e qetë pasi nuk do të lejohet askush të dalë mbi ligjin. 

"Falenderoj Ora News, ju si gazetare me gjithë zemër dhe shpirt. Vajzat do të shkojnë në shkollë patjetër."

 

"Jam shumë e kënaqur që do të shkoj në shkollë, faleminderit për gjithçka."