Çmimi i energjisë, Duma: Rama e shiti planin e tij për të marrë borxh, SPAK të hetojë urgjent!

Në një deklaratë për mediat, nënë kryetarja e Partisë Demokratike Grida Duma tha se kriza energjetike është një krizë e korrupsionit dhe e keqmenaxhimit të qeverisë.

Sipas saj, planin e qeverisë me tre pika Rama e shiti si lajm të jashtëzakonshëm me faktin që nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.

Duma: Asnjë fjalë për energjinë. Madje u shiti si lajm të jashtëzakonshëm që nuk do të ketë ndërprerje të energjisë. Ndërkohë që ajo që shiti në të vërtetë, është kopertura e planit për të marrë borxh që OSHEE dhe KESH të vazhdojnë të bëjnë tendera e të fitojë para po ai grusht njerëzish që e hapi këtë gropë, që në asnjë rast nuk vjen nga jashtë, por nga shushunjat e korrupsionit që gjallojnë në ekosistemin e kësaj pakice. Dhe nuk janë pak. Janë 200 milionë euro, që do të shkojnë për të arnuar me paratë e konsumatorëve e sipërmarrësve ato kafshatat milionëshe që shqyen për orekset e tyre këtë verë.

Ajo theksoi se në fushën e energjisë nuk jaën bërë investime, por janë PPP me para të pista që kanë rrënuar ekonominë.

Duma: Në fakt nuk janë bërë investime, janë PPP-të. Jemi vendi i fundit në Ballkan që kemi pagën minimale, sepse PPP, paratë e pista të palaçollëqeve të tij e kanë rrënuar ekonominë e vendit. PPP-të miliona euroshe që firmosen si pa të keq, duke ua hedhur në kurriz sa këtij brezi por edhe brezave që do të vijnë.

Duma tha se PD i bën thirrje SPAK që të nisë hetimet, ndërsa u shpreh se po përgatiten kallëzimet për abuzimet e kësaj qeverie.

Duma: Partia Demokratike i bën thirrje SPAK të nisë urgjent hetimet. PD po bën gati kallëzimet për abuzimet monstruoze për dhjetëra milionave euro të qeverisë Rama me OSHEE dhe KESH në kurriz të familjeve shqiptare.