Rama anashkalon ERE-n dhe bëhet “ministër” i Energjisë, cakton për kë do rritet çmimi

Për të përballuar krizën energjitike ditën e sotme kryeministri Rama në një dalje për mediat tha se do të akordojë një garanci sovrane për sektorin e energjisë elektrike prej 200 milionë eurosh.

Kjo shumë sipas tij do të përdoret për të mos rritur çmimin kundrejt familjarëve dhe bizneseve të vogla, si dhe për të financuar importet e shtrenjta të energjisë.

Kryeministri Rama kështu anashkaloi ministren e energjisë, e cila është prononcuar fare për këtë çështje, si dhe Entin Rregullator te Energjisë që cakton çmimet e energjisë.

Nga ana tjetër, edhe pse po i kalohen plot 200 milionë euro, gjendja financiare e OSHEE-së momentalisht nuk dihet.

Nga ana tjetër, ekspertët e fushës flasin se OSHEE dhe sektori i energjisë ka më shumë borxhe dhe detyrime sesa kishte ne vitin 2013.

Shifrat e këtyre detyrimeve nuk dihen për shkak të mungesë së transparencës së kompanive, ndërsa dyshohet se një pjesë e parave që paguajnë qytetarët në faturë shkon për këto detyrime.

Ndërkohë, pavarësisht asaj që Rama e quajti si reformë në sektorin e energjisë, humbjet në këtë sektor janë sot 21% ose 1 miliardë kwh më shumë në vit sesa objektivat që kishte vënë qeveria.

Në gjithë këtë histori duket se Rama vendosi t’i dalë vetë ballë këtyre dritë-hijeve të fushës së energjisë duke anashkaluar institucionet rregullatore si ERE apo edhe ministrinë e energjisë, duke  krijuar idenë se ai që vendos për krizat dhe mënyrën e menaxhimit të tyre është vetëm ai.