Policia aksion në Tiranë, Sarandë dhe Shkodër, 8 të arrestuar për kanabis

8 persona janë arrestuar nga policia në 3 aksione të zhvilluara në Tiranë, Sarandë dhe Shkodër. Në kryeqytet në pranga përfunduan 2 të rinj të cilët përmes kamuflimit si motorist picash shpërndanin kanabis. Po ashtu në Sarandë 4 persona u prangosën pasi po tentonin të trafikonin 9 kg kanabis drejt Greqisë, e ndërsa në Shkodër policia shkatërron grupin kriminal, 2 të tjerë shpallën në kërkim

Për të furnizuar klientët e tyre me kanabis 21-vjeçari Erlis Puci dhe 24-vjeçari Laugjent Nuredini përdornin si kamuflim motorin e picave.

Ky i fundit ishte administratori i një ‘Fast Food’ në rrugën ‘Ali Shefqeti’ në zonën e Shkozës ku në bashkëpunim me punëtorin e tij shpërndanin lëndë narkotike.

Droga ndahej në doza dhe shitej nga 21-vjeçari. Ndërkohë policia ka proceduar penalisht edhe një 23-vjeçare, bashkëjetuesja e administratorit Nuredini, e cila dyshohet se fshihte lëndën narkotike.

Nga policia e kryeqytetit u sekuestruan një sasi kokaine, kanabisi dhe një peshore elektronike.

Ndërkohë katër persona u arrestuan në Sarandë në tentativë për të trafikuar 9 kg kanabis drejt Greqisë.

Në pranga ranë Dritan Delishi 35 vjeç, Litavit Laci 23 vjeç, Ylli Daci 23 vjeç, dhe Flori Bardhi 37 vjeç.

Policia thotë se kishte marrë informacion se ata do të synonin ta kalonin drogën drejt Greqisë në kufirin e gjelbër, në zonën e Konispolit. Hetimet vijojnë për të identifikuar e arrestuar persona të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës.

Polica e Shkodrës ka arrestuar 2 persona dhe ka shpallur në kërkim 2 të tjera si të përfshirë në kultivimin e kanabis satives. Të arrestuarit janë Nikolin Lami dhe Armando Nika, ndërkohë që dy persona me iniciale Gj. G. dhe T.V. janë shpallur në kërkim.

Në hetimet 3 mujore të policisë së Shkodrës u siguruan prova dhe fakte për përfshirjen e këtyre personave në aktivitet kriminal.