Vlorë/ Babë e bir plagosen teksa ruanin parcelën e hashashit, 3 persona shkuan për të vjedhur

Babë e bir në Mavrovë të Selenicës mbetën të plagosur në tentativë për të mbrojtur bimët narkotike që kultivonin pranë banesës në zonën e thellë. Sipas policisë ata u përleshën me tre persona të cilët dyshohet se donin t'u merrnin kanabisin.

Babë e bir mbetën të plagosur në fshatin Mavrovë të Selenicës në një përpjekje të dyshuar për të mbrojtur nga vjedhja me dhunë e kanabisit që po kultivonin në mënyrë të paligjshme.

Ngjarja u shënua në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Vilson e Fatjon Dautaj sipas dëshmive u konfliktuan me tre persona ende të panjohur që dyshohet se i sulmuan për të vjedhur bimët narkotike pranë stanit të familjes.

Babë e bir duket se i bënin roje kanabisit dhe i kanë diktuar hajdutët dhe kanë bërë rezistencë duke u përleshur fizikisht e me armë të ftohta.

Në këto rrethana babai 60 vjeçar dhe i riu 31 vjeçar kanë marrë goditje me thika për të cilat po trajtohen jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Vlorës.

Pas informacionit për ngjarjen, policia kontrolloi zonën dhe zbuloi 180 rrënjë kanabis sativa të cilat u asgjësuan.

Në banesën e familjes Dautaj, blutë gjetën edhe një automatik dhe një pushkë, të cilat u sekuestruan.

Ndërsa nga këqyrja e vendngjarjes janë evidentuar disa njolla gjaku, mbi bazë të të cilave ngrihet dyshimi se edhe hajdutët e hashashit kanë mbetur të plagosur.

Por deri më tani nuk ka konfirmime nëse ata janë paraqitur në ndonjë qendër shëndetësore për t'u trajtuar.

Policia e Vlorës thotë se punon për të zbardhur ngjarjen në Malet e Selenicës dhe identifikimin e arrestimin e të gjithë personave të përfshirë./OraNews/