Të dyshuar për korrupsion, lihen në burg dy punonjësit e burgut të Reçit në Shkodër
Gjykata e Shkodrës la në burg dy punonjësit e burgut të Reçit, Arnaldo Hoxhën dhe Mario Laloshin, me akuzën e korrupsionit pasiv.
Hoxha e Laloshi, me detyrë specialist psikologë u vunë në pranga pasi kishin marrë përsipër që kundrejt pagesës të ndihmonin një të burgosur të zëvendësonte kohën e mbetur të dënimit në burg në arrest shtëpie ose shërbim prove.
Masa e sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura dhe ndonëse pala mbrojtëse kërkoi një masë më të lehtë për ta, duke qenë se nuk përbëjnë rrezik për shoqërinë, gjykata i qëndroi kërkesës së prokurorisë për t'i lënë në qeli.
Pas denoncimit në emisionin STOP, dy punonjësit e Burgut të Reçit u pezulluan menjëherë nga detyra me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe një ditë më pas u vunë në pranga nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ne sistemin e burgjeve.
Pas këtij skandali mësohet se në burgun e Reçit vijon një hetim për të parë nëse psikologët bashkëpunonin me persona të tjerë dhe se si kryhet menaxhimi i brendshëm në institucion.
Në funksion të hetimit janë marrë në shqyrtim procesverbalet dhe dokumentacionet e personelit të burgut./OraNews/
