Tatimfitimi për korporatat mbi 15%, Shqipëria dhe 135 shtete të tjera firmosin marrëveshjen

Shqipëria i është bashkuar një nisme globale për taksimin e kompanive të mëdha jo më pak se 15 për qind.

136 shtete firmosën paktin historik për rritjen e tatimit mbi fitimin e korporatave dhe mbledhjen e këtij detyrimi në vendin ku ato e realizojnë fitimin.

Shumë kompani të mëdha, si Amazon apo Facebook, po shfrytëzojnë sisteme të caktuara fiskale për t'i transferuar atje fitimet e larta kundrejt një takse të ulët.

Irlanda, Estonia dhe Hungaria janë disa nga shtetet europiane që aplikojnë taksat më të ulëta për korporatat për të tërhequr kompanitë shumëkombëshe, por ministri irlandez i Financave tha se është gjetur konsensusi për rritjen e saj.

"Është vendimi i drejtë, një vendim i arsyeshëm dhe pragmatik që qeveria jonë e merr në interes të vendit, por besoj se në fund do të jetë një vendim kritik që do u krijojë bizneseve dhe investitorëve siguri afatgjatë nga e cila pritet të përfitojnë mijëra punonjës," tha ministri.

Sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, masa pritet t'i sjellë ekonomisë botërore në tërësi rreth 150 miliardë dollarëve shtesë.

Kjo sasi do të ndihmojë rimëkëmbjen e ekonomisë nga pandemia dhe do të zbatohet nga shtetet firmosëse nga viti 2023.

Komiteti i Oksfordit për të Ndihmuar të Uriturit thotë se taksa 15 për qind është përsëri tepër e ulët dhe norma më normale për tatimin e korporatave duhet të ishte të paktën 25 për qind./OraNews/