Vdekja e 23-vjeçares në Vlorë pas operacionit, babai: Po presim ekspertizën
Një ngjarje e rëndë ndodhi në datën 22 shtator në Vlorë, ku një 23-vjeçare ndërroi jetë në spital pas operacionit.
Ardian Leka, babai i 23 vjeçares Brisilda Sadushi nënë e dy fëmijëve të mitur që humbi jetën pas operacionit është ende në pritje të përgjigjes së ekspertizës e cila do të zbulojë shkakun e vdekjes.
Ai tregon për mediet momentin e parë kur e mori vesh lajmin për vdekjen e gocës.
"Më lajmëroi vëllai i vogël, isha në Greqi. Më tha është në operacion. I thashë ik shikoje nga afër. Më mori dhe më tha të dërgoja lekë. Isha ulur dhe po prisja telefonatën. Kur më mori në telefon më tha cupa mbaroi, nuk ja doli dot operacionit," tha babi.
Ai u shpreh se vajza nuk kishte pasur probleme shëndetësore më parë.
"Kam folur para 10 ditësh me gocën, nuk mu ankua. Nuk mu ankua kurrë për shëndetin. Mjekët nuk më kanë dhënë asnjë zgjidhje akoma. Vajza u fut në operacion rreth orës 15:00. Më vonë më tha vëllai që nuk ja doli mbanë. Ekspertiza nuk ka dalë akoma, pres përgjigjen. Çështja ka arritur deri në SPAK siç më ka thënë ish-bashkëshortja," tha ai.
Leka hedh poshtë aludimet për një abort të mundshëm të 23 vjeçares.
"Nuk ma ha mendja për abortim. Kishte 2 djem, një 4 vjeç, një 2 vjeç. Ata jetojnë te ish-bashkëshortja, do t'i mbajë ca ditë ajo, ca ditë do t'i mbajnë këta të dhëndrit, pastaj do ta shikojmë se çfarë do bëhet."
Më tej ai shtoi se po pret përgjigjen e ekspertizës që të mundet të flasë./OraNews/
